LAJMI I FUNDIT:

Kryetarët e odave flasin për integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor (Video)

Kryetarët e odave flasin për integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor (Video)

Kryetarët e odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, anëtarë të Bordit Menaxhues të Forumit të këtyre odave (CIF), kanë zhvilluar një takim të përbashkët në Odën Ekonomike të Kosovës, ku janë diskutuar për aktivitetet e radhës, në veçanti për ngjarjen e ardhshme në Londër në aktivitetin e Financial Times ku do t’i bëhet një prezantim të gjithë rajonit.

Në takimin e sotëm morën pjesë vetëm pesë nga gjashtë kryetarët e odave, pasi ai i Bosnjës dhe Hercegovinës nuk kishte ardhur në Prishtinë.


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në hyrje të prezantimit para medieve, tha se rajoni ynë ka nevojë për investime dhe një treg i përbashkët.

“Ky rajon ka nevojë për investime dhe asnjë vend veç e veç nuk ka treguar që është shumë atraktiv që nëse nuk shikohet brenda një konteksti më të madh. Fokusi në muajt në vijim do të jetë promovimi i rajonit për investime të caktuara, ku një ndër diskutimet e patëm ngjarjen e ardhshme në Londër që do të jetë një prezantim me Financial Times dhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë”, tha Rukiqi, shkruan Telegrafi.

Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriore, tha se kompanitë në Ballkanin Perëndimor kanë nevojë për një komunikim më të mirë

“Përmirësimi i komunikimit të komunitetit të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor, një lidhje më e mirë infrastrukturore, dalja e përbashkët në tregjet e treta dhe përmirësimi i komunikim ndërmjet tyre”, është shprehur Azeski.

Ndërsa, kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, tha se integrimi ekonomik është hallka më e fortë që do të çojë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Integrimi ekonomik është hallka më e fortë që do të na qoj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe pikërisht për këtë bashkëpunimi ynë është shumë i frytshëm duke u munduar në të gjitha takimet tona të japim rezultate konkrete mbi afrimin e sipërmarrjeve të vendeve tona dhe zhvillimin ekonomik të vendeve tona”, thotë Muçostepa, shkruan Telegrafi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Vlastimir Goluboviq, tha se është një mundësi e mirë që së bashku të ndajnë shqetësimet e të gjithë ndërmarrësve.

Marko Cadez, kryetar i Bordit Menaxhues të CIF-it, njëherësh kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë, tha se këto vende nuk kanë më kohë për të humbur dhe se duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që secili shtet të përfitojë dhe të gëzojë zhvillim ekonomikë.

Në fund, sekretari i CIF-it, Safet Gërxhaliu, tha se agjenda politike është dominuese në Ballkanin Perëndimor, sipas tij, ekonomia në Ballkanin Perëndimor ka bërë shumë hapa më të avancuar se politika. /Telegrafi/