Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka konfirmuar për Telegrafin se po bënë vlerësimin e të gjithë menaxherëve të cilët kanë performancë negative.

Ndërsa, i pyetur se a është shkarkuar Demir Limaj nga pozita e drejtorit të Departamentit të Shitjes, ka thënë se me të do të takohet së shpejti për ta qartësuar pozicionin e tij.

“Demir Limaj e ka ofruar lirimin nga pozita, për arsye personale për të kaluar si profesor në universitet, por nuk e kam aprovuar”, ka thënë Istrefi për Telegrafin.

Ndryshe, ai ka bërë të ditur se së shpejti do të dalin me vlerësime për të gjithë menaxherët kryesor të Telekomit dhe të gjithë ata që nuk kanë performancë pozitive do të vlerësohen dhe shkarkohen.

“Për çdo person që ka post menaxherial të lart dhe performancë jo të mirë do ta shkarkoj”, ka pohuar ai.

Deklarata e plotë e kryeshefit të Telekomit

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi, në bazë të autorizimeve dhe kompetencave dhe në bashkëpunim të plotë me Drejtorin e Shitjes, Demir Limaj kanë marrë disa vendime për ndryshime në këtë departament.

E gjithë kjo me qëllim primar ngritjen e performancës financiare të korporatës. Në Departamentin e Shitjes kemi pasur mosrealizim të objektivave, rritje të borxheve dhe humbje të konsumatorëve dhe duke u bazuar në këtë janë bërë këto ndryshime. Me këtë rast janë liruar nga detyra dy zëvendës drejtor të këtij departamenti.

Në anën tjetër ka kohë që Drejtori i Shitjes, Demir Limaj për shkak të angazhimit të tij si profesor i rregullt në Universitetin e Prizrenit ka bërë kërkesë tek kryeshefi që të lirohet nga kjo detyrë por për shkak të angazhimit të tij në korporatë dhe profesionalizmit të lartë të tij kërkesa në fjalë iu ka refuzuar, vendimin për angazhimin e mëtutjeshëm të Limajt në Telekom do ta merr bashkërisht dhe në konsultim me të kryeshefi i Telekomit, Istrefi.

Gjitha këto ndryshime kanë vetëm një qëllim rritjen e performancës financiare të korporatës, ruajtjen dhe rritjen e numrit të konsumatorëve. /Telegrafi/