Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka paraqitur deklaratat e saj gjatë seancës së deklaratave përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke ngritur pretendime për përpjekje për pengimin e procesit gjyqësor.

Ajo ka thënë se Thaçi, përballë akuzave të rënda dhe mundësisë për një dënim të gjatë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka tentuar të pengojë procesin.


“Akuza të rënda dhe mundësinë për t’u dënuar me një kohë të gjatë, bashkë me bashkëpunëtorët e tij tentoi ta pengonte këtë proces”, ka deklaruar Kryeprokurorja e Specializuar.

Sipas saj, gjatë hetimeve janë sekuestruar materiale të shumta, përfshirë dokumente dhe prova të tjera, të cilat, sipas Prokurorisë, dëshmojnë për përpjekjet për ndërhyrje në proces, transmeton Telegrafi.

“U kap me shumë orë inicizime e dokumente. Kjo na kujton sesa vigjilent duhet të jemi vazhdimisht, sepse është e nevojshme të mbrojmë integritetin e procesit ndaj atyre që tentojnë ta dëmtojnë atë”, ka thënë West.

Kryeprokurorja ka bërë pretendime edhe për përfshirjen e Thaçit në orientimin e të bashkëakuzuarve lidhur me dëshmitarët.

“Thaçi urdhëroi të bashkëakuzuarit që të shënjestronin dëshmitarë”, tha kryeprokurorja.

West ka pretenduar se Thaçi kishte formuar grupe të vogla me të bashkëakuzuarit, të cilët, sipas saj, kishin njohuri për dëshmitarët dhe informacionet që lidhen me ta.

Sipas Prokurorisë, kjo veprimtari kishte vazhduar për muaj të tërë dhe ishte zhvilluar edhe gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.

“Me muaj të tërë Thaçi vazhdimisht udhëzoi të bashkëakuzuarit gjatë vizitave në objektin e paraburgimit. U tha atyre se çfarë duhet të thonin dëshmitarët ose çfarë nuk duhej të thonin, në mënyrë që të zbehte ose hiqte tërësisht fajësinë e tij”, ka deklaruar Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West.

Ajo ka thënë gjithashtu se Thaçi u kishte dhënë të bashkëakuzuarve udhëzime të hollësishme lidhur me strukturën dhe hierarkinë e UÇK-së, përfshirë çështjen se kujt duhej t’i atribuohej autoriteti në vend të tij.

“Ai u dha udhëzime të hollësishme sa i takon hierarkisë së UÇK-së, në veçanti se kujt duhej atribuar autoriteti në vend të Thaçit, strukturën e UÇK-së etj., dhe udhëzime për shumë aspekte të tjera", tha West.

Deklaratat e Prokurorisë janë pjesë e fazës përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të bashkëakuzuarve për veprat penale që lidhen me administrimin e drejtësisë./Telegrafi/