LAJMI I FUNDIT:

Kryeministrin s’e kap satira

Kryeministrin s’e kap satira

Nuk e kap sharra, po më thoshte këto ditë, në mënyrë metaforike, një mik i imi “analist” . E kishte fjalën për kryeministrin aktual, njeriun e qetë dhe të butë të politikës së hutuar kosovare. As nuk po munden me e rrëzue, as nuk po mundet me qeverisë, po më thoshte. Në shtet po bon kush çka po don, e besa edhe çka po mundet. Llafe hesapi.

Tashti, ky miku nuk është se është ndonjë analist i famshëm i medias tonë problematike e cila me porosi rrëzon e ngre qeveri, krijon e prishë koalicione, apo informon përmes statuseve politikën e lartë se çka mendon shefi në qendrën e botës, nga i cili sapo kanë marrë instruksionet me Twitter apo rrjetet e tjera (a)sociale.

Ky është një asi tipi i analistit të kafeneve të cilët për dy çaja të rusit e komentojnë pa kompleks politikën e lartë amerikane edhe euroatlantike. Aq më tepër, ky lloji i çajit pra kishte rëndësi kur Rusia në kurset online të politikës tonë po kalonte nga shtylla e armiqve në atë të aleatëve dhe, në Ballkan, po shiheshin konturat e mundshme të një marrëveshje ruso-turke për regjionin. Kjo u bë aq e dukshme sidomos nga fotografitë e ish-presidentit kosovar me presidentin rus Vladimir Putin, të cilat donin të tregonin për caqet dhe rolin që mund të lozte politika kosovare në marrëdhëniet ShBA-Rusi, pra në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në fund të fundit, a nuk duhej bërë mik armiku të cilin nuk e mund dot? Këto janë mësime të cilat politika jonë i ka mësuar qysh nga filmat vizatimorë.

Nuk është aq vështirë me e kuptue këtë metaforë, atë për sharrën dhe për kryeministrin, sidomos për një kosovar. Është e vështirë që këtë metaforë ta përkthesh në një gjuhë të huaj. Si ta thuash këtë e të mos tingëllojë dhunshëm dhe të mos keqkuptohet metafora.

Nuk e kap as ironia, i thashë unë. Krahasuar me ish-presidentin, ish-kryeministrat, përfshirë edhe të parafundit. Për shembull, presidentin e kapte jo vetëm ironia, e sidomos satira. Në fund e kapi edhe sharra politike, sharra e administratës më të fuqishme në botë. Kjo administratë, le presidentin tonë, por e mundi edhe presidentin e vet i cili provoi të punonte pa këtë administratë, po veç me emisarë që krijojnë apo zgjidhin konflikte. Jeta është konflikt, dukej se ishte motoja e tij ,dhe nisur nga kjo, ai po mblidhte rreth vetes tipa konfliktesh nëpër botë dhe po i rreshtonte. Një konflikt i mirë nuk lihet pa u shfrytëzuar për të fituar një paqe dhe një sukses. Suksesi është më i rëndësishëm për disa politikanë sesa paqja apo lufta aq sa këto të dyja dhe shumë instrumente të tjera të politikës janë veç në funksion të suksesit. Suksesi sjell mandatin.

Por, ky në fakt nuk është një profil politikani i cili më shumë ngjanë të jetë teknokrat sesa partizan i ndonjë ideje, apo ujk i ndonjë politike që ka shënjuar vathën që do ta shqyej. Ky, pa fajin e vet, u gjet në vorbullën, apo më saktë thënë – në vallen ndërkombëtare të ujqërve. Edhe kur u ul në karrigen e famshme të nxënësit përballë mësuesit, në zyrën ovale, ai nuk ngjalli komente satirike. Ai e mori përsipër që me butësi të bëjë një kthesë të ashpër duke ndjekur gishtin tregues të ish-presidentit dhe tash ka mbetur në zonë neutrale.

Pra, tash kur të gjithë që e tërhiqnin rimorkion politike të qerres e politikës kosovare, autostradave globale, kanë dalë prej loje, mbi Prishtinë kemi një mjegull të madhe dhe një kryeministër të ulur në bisht te kerrit, të ndalur në pushimoret e këtyre autostradave duke pritur t’i thonë të niset dikah. Këndej kemi një popull që hesht, një politikë që po grabitë çka të mundet, derisa mjegulla të daravitet dhe sërish të rivendoset njëfarë kontrolli mbi buxhet.

Nuk e ha sharra, flitej në popull dikur edhe për ish-presidentin historik të këtij vendi, njeriun kur ishte president edhe kur Kosova me Kushtetutë nuk e kishte një të tillë. Ai ishte president edhe kur Kosova nuk ishte shtet, por ai e drejtonte një popull duke ja dëgjuar rrahjet e zemrës, dëshirat dhe frikën. Rugovën, në fakt, nuk e kapte as ironia, ndërkohë që pasardhësin e tij të mundshëm në krye të partisë, nuk po e kap satira. I shkriftë, pragmatik, me letrën e djegur antiamerikane në dorë me të cilën etiketuan kundërshtarët, kryeministri vazhdon të shkojë në zyrën e tij të cilën tani për tani nuk kanë fuqi t’ia marrin, përpos nëse Kushtetuesja nuk vendosë ta rikthejë atë në postin e zëvendëskryeministrit për ta rikthyer në pushtet koalicionin i cili mund ta shpërndajë mjegullën sërish. Kjo natyrisht se mund t’i bëjë ujqërit të ulërijnë përsëri.

Ajo që mbetet, nga kjo situatë, është ideja tjetër e mikut tim analist se kryeministri, me butësinë e vet, mund të bëhet i fuqishëm vetëm si kryetar i ardhshëm i LDK-së e cila prej një partie të butë, nën shkopin e dirigjentit të ish-presidentit Thaçi, i cili dirigjonte disa nga violinat e para, kishin filluar të ulërinin si ujq. Sido që të jetë, ashtu si ka mbetur PDK-ja pa kokë, ashtu edhe LDK-ja vështirë se mund të këndellet pa një kryetar të ri dhe, profili i shkriftë i kryeministrit aktual i përshtatet si është më së miri një strukture pragmatike dhe joluftarake si është historikisht dhe aktualisht ajo e LDK-së. I butë, qëllimmirë dhe këmbëngulës, kjo po që mund të jetë frymë rugoviane.

Në trend

Më shumë

"Nuk e prisja ftesën për Evropian, pasi mendoja të luaja për Kosovën", Tarashaj: Shqipëria mund të befasojë, Zvicra në gjysmëfinale nëse Shaqiri është në formë

Romak Zeqiri
Vdes në moshën 26-vjeçare portieri i Malit të Zi, vetëm 10 ditë më parë gëzoi kombin e tij

Vdes në moshën 26-vjeçare portieri i Malit të Zi, vetëm 10 ditë më parë gëzoi kombin e tij

Ndërkombëtare
Ndeshja hapëse e Euro 2024 solli një risi në përdorimin e VAR – tifozët e duan atë edhe në Ligën Premier

Ndeshja hapëse e Euro 2024 solli një risi në përdorimin e VAR – tifozët e duan atë edhe në Ligën Premier

Përfaqësueset
​Shtrenjtimi i kurbanit nuk ndalon besimtarët ta kryejnë obligimin e tyre fetar

​Shtrenjtimi i kurbanit nuk ndalon besimtarët ta kryejnë obligimin e tyre fetar

Lajme
Mbeti më shumë se gjysmë ore në ajër me aeroplanin e tij, Pacolli akuzon Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës

Mbeti më shumë se gjysmë ore në ajër me aeroplanin e tij, Pacolli akuzon Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës

Lajme
Forcat ukrainase sulmojnë aeroportin ushtarak në Rusi

Forcat ukrainase sulmojnë aeroportin ushtarak në Rusi

Botë
Kalo në kategori