LAJMI I FUNDIT:

KRU ‘Prishtina’ njofton se është rritur niveli i ujit në liqenin e Batllavës

KRU ‘Prishtina’ njofton se është rritur niveli i ujit në liqenin e Batllavës

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se pas reshjeve të fundit të shiut, niveli i ujit në liqenin e Batllavës është rritur.

Sipas kompanisë, ky nivel është rritur për 32 centimetër.


“Ju njoftojmë se niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është 624.28 metra mbi nivelin e detit ose 10.72 metra nën nivelin e kapërderdhjes, që do të thotë se pas reshjeve atmosferike të borës më 4 dhe 5 shkurt, ky liqe ka një ngritje prej 32 centimetra derisa, niveli i ujit në liqenin e Badocit e ka ruajtur nivelin e ditëve të kaluara, nuk ka pasur as rënie dhe as ngritje, sot është 639.46 metra mbi nivelin e detit ose 10.39 metra nën nivelin maksimal të kapërderdhjes”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm është i qëndrueshëm, por kërkon nga qytetarët që të kenë kujdes me përdorimin e këtij uji.

“Gjendja aktuale me furnizim me ujë të pijshëm për regjionin e Prishtinës dhe komunat e tjera që i furnizojmë, mund të themi se është furnizim stabil. Po shpresojmë duke i menaxhuar në nivelet dhe konsumin ditor, ta kalojmë këtë periudhë, që është një periudhë që vitin e kaluar dhe tani kemi kaluar me një thatësirë me reshje nën mesatare”, është shprehur Abdullahu.

Abdullahu nga KRU 'Prishtina': Aktualisht furnizimi me ujë të pijshëm është i qëndrueshëm, është në dorën e konsumatorit nëse do të kursehet
Lexo po ashtu Abdullahu nga KRU 'Prishtina': Aktualisht furnizimi me ujë të pijshëm është i qëndrueshëm, është në dorën e konsumatorit nëse do të kursehet

Aktualisht, qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave. Liqeni i Ujmanit (Gazivoda) në Zubin Potok, Batallava në Podujevë, Badovci në Prishtinë, Radoniqi në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në rrafshin e Dukagjinit, Ibrit në Mitrovicë, Moravës së Binçës në Anamoravë dhe Lepencit në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë. /Telegrafi/