KRU “Hidromorava” paralajmëron shkyçje dhe masa përmbarimore ndaj konsumatorëve me borxhe

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” ka njoftuar konsumatorët se ka nisur fazën përfundimtare të thirrjeve për pagesën e faturave të pashlyera.
Sipas kompanisë, të gjithë konsumatorët që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara rrezikojnë shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit, si dhe nisjen e procedurave përmbarimore.
KRU “Hidromorava” u bën thirrje qytetarëve që të kryejnë pagesat sa më shpejt, duke theksuar se pagesa e rregullt e ujit ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin dhe vazhdimësinë e shërbimeve, përcjell Telegrafi.
Për konsumatorët që nuk kanë mundësi të shlyejnë borxhin në tërësi, kompania ofron mundësinë e riprogramimit me këste mujore. Ata mund të paraqiten në zyrat e kompanisë për të nënshkruar marrëveshje, me ç’rast do të largohet çdo rrezik për shkyçje apo procedurë përmbarimore.
Sipas njoftimit, konsumatorët që paguajnë borxhin e plotë ose që nënshkruajnë marrëveshje për riprogramim do të hiqen menjëherë nga lista e masave administrative.
Kompania apelon qytetarët të mos e vonojnë pagesën, duke ritheksuar rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm. /Telegrafi/





















































