Krizë në horizont? Rriten tensionet mes Real Madridit dhe Viniciusit

Real Madrid dhe Vinicius Junior ishin krah për krah në majën e futbollit botëror në këtë kohë një vit më parë, me brazilianin që kishte udhëhequr 'Los Blancos' drejt titullit të dytë në Ligën e Kampionëve brenda tre vitesh, dhe dukej se ishte në rrugë të sigurt drejt Topit të Artë, sipas raportimeve në mediat vendase.
Një vit më vonë, asnjëri prej tyre nuk duket veçanërisht i kënaqur me tjetrin.
Verën e kaluar, Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite e bëri publikisht objektiv Viniciusin, dhe ai u takua me zyrtarë sauditë për të dëgjuar ofertën e tyre të mundshme.
Sipas Cadena SER, megjithëse është arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës, Vinicius ka kërkuar më pas të paguhet njësoj si Kylian Mbappe.
Një kërkesë që nuk është pritur mirë nga Real Madridi. Klubi nuk ka në plan të ndryshojë marrëveshjen e arritur me brazilianin, dhe marrëdhëniet mes klubit dhe agjentëve të Vinicius janë ftohur.
Klubi nuk ka ndërmend të rinisë bisedimet me Viniciusin, përveç nëse agjentët e tij e kërkojnë këtë deri në vitin 2026, kur ai do të ketë edhe 18 muaj kontratë të mbetur.
Sipas burimeve të tyre, vetëm Florentino Perez dhe Vinicius mund ta zgjidhin këtë çështje përmes një takimi ballë për ballë.
Nëse Vinicius nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij aktual, duket qartë se Real Madridi ka një plan rezervë.
Këtë javë është raportuar se klubi do të merrte parasysh një ofertë të mirë për Viniciusin, dhe nëse ai largohet, Perez tashmë ka në mendje të transferojë Erling Haaland si zëvendësues./Telegrafi/



















































