LAJMI I FUNDIT:

​Krizat e brendshme politike dëmtuan Kosovën në arenën ndërkombëtare

​Krizat e brendshme politike dëmtuan Kosovën në arenën ndërkombëtare

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë vlerësojnë se shteti nuk ka shënuar arritje të mëdha në arenën ndërkombëtare, që sipas tyre, është rezultat i krizave të brendshme politike, korrupsionit dhe shërbimit jo të konsoliduar diplomatik. Si pasojë e kësaj, ata vlerësojnë se ka ngecje në sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Periudhën 13-vjeçare të Kosovës si shtet i pavarur, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti e konsideron periudhë të mundësive të jashtëzakonshme por të arritjeve modeste.

“Shkuarja në zgjedhje në mënyrë të vazhdueshme dhe këto zgjedhje praktikisht kanë mbajtur në majë të agjendës vetëm politikën tonë të brendshme, çështje të qeverive, çështje të organizimeve, çështje të koalicioneve e të tjera, dhe në asnjë rast nuk është arritur që politika e jashtme të vendoset në sfond ose target të punës së Qeverisë së Kosovës dhe mbi këtë bazë të rregullohet, të përmirësohet, të forcohet në masën më të madhe të mundshme imazhi ynë ndërkombëtar”, u shpreh Hoti.

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se ka një zbehje të imazhit pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Që nga shpallja e pavarësisë më 2008 e deri tash mund të themi që kemi një zbehje të imazhit pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe çfarë është një ndryshim, sidomos në vitet e fundit, që kemi një zbehje dhe një perceptim negativ edhe nga vendet që së pari kanë marrë hapin për të njohur Kosovën dhe kjo ka ndodhur për arsye të ndryshme, ndër to ka qenë krizat e brendshme, paraqitja e keqe me anë të korrupsionit, me anë të dukurive negative gjë që ka bërë që edhe shtetet njohëse të Kosovës ta kenë një perceptim dhe një qasje më negative ndaj Kosovës”, thotë Fetahu.

Që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Por, ka prej tyre që më pas kanë vendosur që të pezullojnë marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Kosovës.

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Hoti, çështja e njohjeve ka mbetur nën hije për shkak të problemeve të brendshme politike në Kosovë.

“Nëse ne jemi marrë gjithmonë, ose në të shumtën e kohës, me vetveten atëherë ka qenë e pritshme çështja e njohjeve të lihet nën hije, madje jo vetëm që nuk është shtuar numri por shpesh jemi përballë edhe me situate kur ka munguar bashkërendimi ose mbajtja e kontakteve të vazhdueshme me ato shtete që na kanë njohur, dhe si pasojë kur kemi aplikuar në organizata të caktuara ndërkombëtare shtetet që e kanë njohur Kosovën parimisht ose janë treguar neutral në kuptimin e votimit ose raste të caktuara kanë votuar edhe kundër, kjo vërtetë e tregon një brishtësi në kuptimin e politikës sonë të jashtme dhe fatkeqësisht ky trend ose kjo dukuri po na përcjellë edhe sot”, thotë Hoti.

Kosovës i erdhi njohja nga shteti i Izraelit muaj më parë, kjo ndodhi tre vjet pasi nuk kishte arritur të siguronte asnjë njohje. Për Fetahun vitet e fundit mund të konsiderohen si një periudhë shumë zhgënjyese.

“Fillimisht në vitet e para të pavarësisë kemi pasur një fluks të njohjeve të rëndësishme, përgjatë viteve kemi pasur një performancë të mirë të shteteve që kanë njohur Kosovën, por ka qenë një periudhë shumë zhgënjyese sidomos vitet e fundit me shumë pak njohje apo edhe me ato që ne i kemi quajtur në zhargon ‘çnjohje’ apo ‘pezullim i marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve’, që është një njollë e keqe për diplomacinë kosovare”, thotë Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Republika e Kosovës ende nuk e ka siguruar ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe nuk e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian, meqë pesë shtete anëtare vazhdojnë të mos e njohin shtetësinë e Kosovë edhe 13 vjet pas pavarësimit.

Një vend në OBK do t’i lehtësonte Kosovës anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare ku ka mbetur jashtë si Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe në Organizata për Siguri dhe bashkëpunim në Evropë.

Pas një fushate të egër që Serbia zhvilloi kundër Kosovës, shteti ka dështuar të anëtarësohet edhe në INTERPOL dhe UNESCO.

Ndërsa për këto 13 vjet Kosova është bërë anëtare e tetë organizatave ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Gjithashtu, shteti më i ri në Evropë arriti të anëtarësohej në FIFA, UEFA dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Himni dhe flamuri i Republikës së Kosovës janë lartësuar në botë me sukseset e kampiones olimpike botërore, Majlinda Kelmendi. /kp/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori