LAJMI I FUNDIT:

Kriza në Detin e Kuq pritet t’i rrisë çmimet e disa artikujve në Kosovë

Kriza në Detin e Kuq pritet t’i rrisë çmimet e disa artikujve në Kosovë

Çmimet e disa produkteve në Kosovë ka rrezik të rriten sërish, për shkak të krizës në Detin e Kuq.

Shumë kompani detare i kanë ndaluar anijet e tyre të mallrave që të lundrojnë në këtë det dhe i kanë naviguar në drejtime të tjera më të gjata, për shkak të sulmeve të rebelëve të Huthit kundër tyre.


Për pasojë, kompanisë “Elkos Group” nga Kosova i duhet të paguajë deri në 6.000 euro më shumë për një kontejner prej 25 tonelatash që i vjen nga Kina.

“Nga dy mijë në tetë mijë euro është rritur kostoja e transportit detar”, thotë pronari Ramiz Kelmendi.

Edhe vende të tjera kanë paralajmëruar tashmë se përballen me rrezikun e rritjes së çmimeve të konsumit dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike, për shkak të kësaj krize.

Si ka nisur kriza?

Rebelët e Huthit në Jemen, të mbështetur nga Irani, kanë filluar t’i sulmojnë anijet tregtare në Detin e Kuq me raketa dhe dronë në fund të vitit të kaluar, përkatësisht pas shpërthimit të luftës midis Izraelit dhe grupit të shpallur terrorist nga SHBA-ja, Hamas.

Sulmet kanë vazhduar, pavarësisht ndërhyrjes së fuqive perëndimore kundër rebelëve të Huthit, në fillim të këtij muaji.

Ato e kanë penguar transportin detar në Kanalin e Suezit, që është rruga më e shpejtë detare midis Azisë dhe Evropës dhe përmes së cilës kalon rreth 15 për qind e tregtisë detare globale.

Rrjedhimisht, disa nga kompanitë më të mëdha të transportit detar i kanë ridrejtuar anijet në një rrugë shumë më të gjatë përreth Afrikës.

Vonesa deri në tri javë

Kelmendi thotë se, përpara krizës, janë dashur deri në dyzet ditë kohë për pranimin e një kontejneri në portin e Selanikut në Greqi ose në atë të Durrësit në Shqipëri – “tani duhen deri në 60 ditë”.

“Ne kemi marrëveshje njëvjeçare me kompanitë atje [në Kinë] dhe ato duhet të zbatohen… Nuk kemi ndërprerë asnjë dërgesë, vetëm se ka vonesa dhe e paguajmë më shtrenjtë transportin… Dërgesat përmbajnë lëndë të parë për linjat prodhuese dhe produkte finale, si teknikë e bardhë dhe pajisje elektronike”, thotë Kelmendi.

Kompania e tij është ndër distributorët më të mëdhenj të autorizuar në Kosovë të dhjetëra markave ndërkombëtare.

Kelmendi thotë se rritja e kostos së transportit, tash për tash, nuk vërehet te konsumatorët, sepse “po punojmë me fitim minimal”.

“…por, nëse kjo situatë zgjat, mund të ketë ndryshim të çmimeve në tregun e Kosovës”, paralajmëron ai.

Me vonesa në marrjen e dërgesave nga Azia në Kosovë është përballur edhe kompania transportuese e mallrave dhe logjistikës “Pro Transport”, me qendër në Prishtinë.

Pronari Faton Demaj tregon se disa kontejnerë me produkte si lodra, tekstil dhe vegla pune, që janë porositur nga firmat kosovare qysh nga fundi i nëntorit, nuk kanë arritur ende.

“Kjo, automatikisht, rrit çmimet e produkteve në treg”, thotë ai.

Demaj tregon se i ka njoftuar tashmë klientët se do të ketë ngritje të konsiderueshme të çmimit të transportit, por nuk specifikon më shumë.

“Çdo informatë që e marrim nga linjat detare, në formë të shkruar ua dërgojmë kompanive me të cilat bashkëpunojmë. Mundohemi t’i informojmë me kohë”, thotë ai.

Sa importon Kosova nga Kina?

Kosova varet nga importi i produkteve të huaja, si nga vendet fqinje, ato të Bashkimit Evropian dhe më larg.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregojnë se, vitin e kaluar, vendi ka importuar produkte në vlerë prej 5.8 miliardë eurosh.

Vlera e eksporteve, ndërkaq, mbetet nën një miliard euro.
Kosova, sipas BQK-së, rreth 10 për qind të tregtisë së jashtme e bën me Kinën.

Në vitin 2022, vlera e importit nga Kina ka qenë 548 milionë euro, ndërsa në periudhën janar-shtator të vitit 2023 ka qenë 460 milionë.

Për tre muajt e fundit të vitit 2023, Radio Evropa e Lirë ka siguruar të dhëna nga Doganat e Kosovës, sipas të cilave, Kosova ka importuar nga Kina mallra në vlerë prej 189 milionë eurosh.

Nëse të dhënat e dy muajve të fundit të vitit 2023 – kur edhe ka nisur kriza në Detin e Kuq – krahasohen me dy muajt e fundit të vitit 2022, del se vlera e importeve nga Kina ka qenë më e lartë.

Sipas Doganave të Kosovës, në nëntor dhe dhjetor 2022 janë importuar mbi 90 milionë euro produkte, ndërsa në nëntor dhe dhjetor 2023 mbi 124 milionë.

Në mesin e mallrave të importuara nga Kina ka pasur: makina të kondicionimit të ajrit, koncentrat kromi, vegla pune, pjesë plotësuese elektronike të makinave, telefona të mençur, dyshekë prej materialeve të ndryshme, artikuj prej plastike, tekstil e të tjera.

Pasoja të pashmangshme

Kosova, sikurse edhe vende të tjera në botë, është përballur me rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, viteve të fundit. Kjo, pasi lufta e Rusisë me Ukrainën ka nxitur inflacionin, duke i rritur veçanërisht çmimet e naftës dhe të ushqimeve.

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se edhe pasojat e krizës në Detin e Kuq do të jenë të pashmangshme për Kosovën, meqë vendi importon nga Kina.

Sipas tij, pritet të ketë rritje të çmimeve të disa produkteve, por “e mira e gjithë kësaj është se mallrat ushqimore, Kosova nuk i importon në sasi të madhe nga Kina dhe shtetet aziatike”.

Prej atij rajoni, India është e dyta, pas Kinës, që eksporton në Kosovë.

“Shpresoj që, së paku, të mos ketë ngritje të mëtejshme të çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, përfshirë këtu ushqimin dhe pijet joalkoolike”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Pjesën më të madhe të produkteve ushqimore, Kosova e importon nga vendet përreth dhe ato të BE-së.

Edhe një ndër fqinjët e saj, Maqedonia e Veriut, ka paralajmëruar përmes Dhomës së saj të Tregtisë për rritjen e çmimeve të produkteve, si pasojë e krizës në Detin e Kuq.

Këtë javë, nënkryetari i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, i cili mbikëqyr ekonominë e 27 vendeve të BE-së, tha se blloku përballet me rrezikun e rritjes së çmimeve të konsumit dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike, për shkak të ndërprerjeve të transportit detar përmes Detit të Kuq.

Ai tha se trafiku i transportit detar përmes këtij deti ka rënë për 22 për qind në një muaj, si pasojë e sulmeve të rebelëve të Huthit. /REL/