LAJMI I FUNDIT:

Kriza ekonomike godet edhe sektorin bankar në Gjermani

Kriza ekonomike godet edhe sektorin bankar në Gjermani

Banka e dytë më e madhe në Gjermani, Commerzbank AG ka zbuluar një vendim strategjik që supozohet të sigurojë të ardhmen e saj si kompani e pavarur. Por edhe në rastin më të mirë, duke presupozuar se gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve, fitimi pritet të jetë i dobët.

E dobësuar nga konkurrenca e ashpër e brendshme, kostot e rritura dhe ulja në kufij rekord negativë e normave të interesit nga Banka Qendrore, Commerzbank shqyrtoi edhe një bashkim të mundshëm me rivalin e saj më të madh Deutsche Bank AG në fillim të këtij viti. Dështimi i asaj marrëveshjeje pati asokohe pasoja të rënda, pasi banka e pati të vështirë të përmirësohej, në një treg të fragmentuar si ai gjerman, i mbizotëruar nga kursime të ulëta.


Si pjesë e rimëkëmbjes, kreu ekzekutiv Martin Zielke është shprehur se Commerzbank po planifikon të shkurtojë rreth 20 për qind të degëve të saj dhe 5 për qind të forcës së saj të punës, nismë që do i kushtojë kompanisë rreth 850 milionë. Kjo e lë atë me 750 milionë euro për të investuar në teknologji, si pjesë e strategjisë për reformimin e institucionit, përcjell Telegrafi.

Ndaj për të financuar riorganizimin, Commerzbank shpreson të shesë një shumicë aksionesh në njësinë e saj polake, duke rritur kështu varësinë e saj nga tregu gjerman. Moody’s paralajmëroi se shitja do të kishte pasoja negative për të ardhurat dhe rritjen e fitimit të Commerzbank. Nga ana e vet banka është shprehur se të ardhurat duhet të jenë më të larta deri në vitin 2023, por pa dhënë detaje se si do të arrihet kjo dhe nëse është vërtet e mundshme. Për ekspertët kjo është shenjë se pavarësisht fjalëve rritja do të mbetet e pakapshme.

Ndërsa, Commerzbank ishte i guximshëm në zvogëlimin e shpenzimeve, duke thënë se kostot do të bien me rreth 20 për qind deri në vitin 2023, investitorët vështirë se mund ta vërejnë ndryshimin. Në një periudhë afatmesme, fitimi mund të arrijë në rreth 4 për qind dhe kjo kur matet me kthimin e kapitalit të prekshëm dhe vlerësohet me një sy optimist. Megjithatë kjo vlerë është në thelb më poshtë se vlerësimet e kostos së kapitalit neto, vlera nominale e marrë nga investitorët në këmbim të mbajtjes së aksioneve.

Nga ana tjetër, shumë banka të tjera gjermane kanë qenë më optimiste në lidhje me përfitimin e tyre, në një kohë kur investitorët dhe huadhënësit presin që normat e interesit të rriten. Por kjo mbetet për t’u parë, pasi autoritetet qendrore ende nuk kanë shfaqur ndonjë prirje të tillë.

Megjithatë, me uljen aktuale të normave të interesit dhe ekonominë gjermane me rënien më të keqe në shtatë vjet, nevoja për konsolidimin e bankave vendase është më e ngutshme se kurrë. Bankat e kursimeve të sektorit publik përbëjnë rreth 25 për qind të totalit të aktiveve bankare të vendit, ndërsa kooperativat përbëjnë 11 për qind. Forcimi i kooperativave dhe shndërrimi i tyre në korporata mund të jetë një mënyrë për konsolidimin e sistemit. Kjo është theksuar edhe nga Peter Hahn dhe Instituti i Bankave dhe Financave në Londër. /Telegrafi/