LAJMI I FUNDIT:

Krerët e Këshillit Drejtues së UP-së kërkojnë respektimin e statutit në zgjedhjen e sekretarit

Krerët e Këshillit Drejtues së UP-së kërkojnë respektimin e statutit në zgjedhjen e sekretarit

Esat Kelmendi ka mbajtur pozitën e sekretarit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ që nga 2 tetori i vitit 2013. Kontrata e tij me Universitetin e Prishtinës ka skaduar sot.

Pozita që mban Kelmendi mund të mbetet vakante, pasi as nuk i është vazhduar kontrata por as nuk është hapur konkurs siç parashihet në Statutin e UP-së.


Sipas statutit të Universitetit të Prishtinës ‘Sekretari i Universitetit zgjidhet nga Këshilli drejtues sipas propozimit të rektorit, të bazuar në raportin e komisionit profesional të zgjedhur nga rektori, në bazë të konkursit publik’.

Megjithatë, deri më sot në UP nuk është hapur konkurs për këtë pozitë pasi rektorati po kërkon që kontrata e Kelmendit të vazhdohet me votim formal të Këshillit Drejtues dhe pa konkurs publik.

Me këtë nuk po pajtohet Kryesuesja e KD-së, Ardiana Bunjaku, e cila për Gazeta Jeta në Kosovë tha se një konkurs publik do të ishte mënyra më e mirë e përzgjedhjes së zyrtarit në këtë pozitë.

“Qëndrimi im lidhur me këtë çështje është të zbatohet ne përpikëri ligji dhe statuti i UP-së, duke promovuar transparencën dhe llogaridhënien për secilin akter të përfshirë në vendimmarrje. Kam vlerësuar se do ishte në interesin më të mirë te UP-së, që të hapet konkursi për pozitën e sekretarit, ku do i mundësohej secilit pa dallim për të marrë pjesë, përfshirë dhe sekretarin aktual”, tha Bunjaku.

Deklaratën e Bunjakut e mbështeti edhe anëtarja e KD-së, Drita Shoshi, duke thënë se është për hapjen e konkursit.

Ngjashëm, Zëvendëskryesuesja e KD-së, Laura Kryeziu, tha se për këtë pozitë duhet hapur konkurs.

“…Neni 39 i Statutit të UP-së është eksplicit në procedurat e përzgjedhjes së kandidatit/ës për sekretar/e të përgjithshëm të UP-së, gjithmonë në bazë të konkursit publik”, tha ajo.

Kryeziu tha se vazhdimi i kontratës së Kelmendit pa hapur konkurs përbën shkelje të Statutit të UP-së.

“Dështimi i zhvillimit të konkursit publik paraqet jo vetëm shkelje të Nenit 39 të Statutit të UP-së por është edhe cënim të pozitës së barabartë të qytetarëve, në kuptim të Nenit 193 të Kodit Nr. 04/L-082 Penal të Kosovës. Mbi këtë bazë, kam insistuar që të zbatohet Neni 39 i Statutit. Fitimi i pozitës me konkurs publik është në interes edhe të Sekretarit/ës të ri/e të Përgjithshëm pasi që ky proces do ta forcoj autoritetin e tij/saj funksional të cilin e gëzon me Statut”, tha ajo.

Në anën tjetër, rektori i UP-së, Marjan Dema përmes një komunikate për media thotë se rektorati ka dërguar një shkresë drejt Këshillit Drejtues për të kërkuar vazhdimin e kontratës së Kelmendit.

Ai tha se kërkesën e tyre e kanë bazuar në një opionin ligjor të Ministrisë së Administratës Publike i cili thotë se “Pas përfundimit të mandatit, nëse performanca e tij (sekretarit të përgjithshëm) ka qenë e kënaqshme, titullari i institucionit…. me një arsyetim për vazhdimin e kontratës për mandat tjetër (5 vjeçar sipas kontratës aktuale) i rekomandon Këshillit Drejtues që formalisht të votohet për vazhdimin e kontratës së Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së, pa pasur nevojë për konkurs publik.”

Në këtë njoftim, sipas rektorit, është marrë parasysh edhe një shkresë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës i cili thotë se përkrah opinionin ligjor që ka dhënë Ministria e Administratës Publike dhe vetë kontratës së sekretarit.

“Vazhdimi i mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm dhe pozitave ekuivalente bazuar në Rregulloren Nr. 06/2012, është bërë pothuajse nga të gjitha institucionet e vendit, duke filluar nga organi legjislativ, d.m.th nga Kuvendi i Kosovës, në të cilin institucion mandati i vazhdohet Sekretarit të Përgjithshëm vetëm me vlerësim pozitiv nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministritë e linjës, ku Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, gjegjësisht të Ministrive, i vazhdohet mandati përmes rekomandimit nëse ata kanë vlerësime pozitive”, thuhet në opinionin e KPMShCK-së sipas rektoratit.

Lidhur me opinionet ligjore, Kryesuesja e KD-së tha se ato nuk paraqesin pengesë në hapjen e konkursit. ndërsa tha se mbështet një proces ligjor transparent.

Ndërkaq, Fadil Osmani, anëtar i Këshillit Drejtues tha se për këtë çështje pritet të diskutohet të enjten.

“Të enjten është planifikuar të diskutohet kjo kontratë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Drejtues ku edhe planifikojmë t’i shqyrtojmë të tri interpretimet që na i ka dërguar Rektorati të cilat bazohen në interpretimin e dërguar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës dhe Ministria e Administratës Publike. Ky interpretim i ligjeve duhet të merret parasysh si dhe çka thotë Statuti i UP-së dhe në fund Kryetarja e Këshillit tonë, Znj Bunjaku do të del me qëndrim të përbashkët të Këshillit Drejtues të UP-së”, tha Bunjaku.

Beqir Sadikaj, anëtar tjetër i KD-së në Universitetin e Prishtinës po ashtu shfaqi dilema për mundësitë ligjore në këtë pozitë.

“ Unë jam që të respektohet ligji: nëse sekretari llogaritet si staf civil, të zbatohet ligji për shërbimin civil ndërsa nëse është ndryshe duhet të zbatohet statuti i UP-së dhe duhet të zbatohen rregullat ligjore të UP-së”

Sipas statutit të UP-së “Sekretari është zyrtari më i lartë ekzekutiv dhe administrativ i Universitetit, me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta të përcaktuara në kontratën e tij e cila nënshkruhet nga rektori”

Vetë Esat Kelmendi i kontaktuar nga GJNK nuk ka dashur të deklarohet për këtë çështje.

Në kohën e mandatit të Kelmendit në UP, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për disa skandale që përfshijnë humbjen e kontestit gjyqësor të UP-së kundër Kishës Ortodokse për parcelën e tokës ku gjendet kisha e papërfunduar ortodokse.

Po ashtu u raportua për avancime të dyshimta e të parregullta të stafit akademik./Gazeta JNK/

Në trend Lajme

Më shumë
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
SHBA-ja synon ta

SHBA-ja synon ta "fortifikojë" Ballkanin Perëndimor

Lajme
Protesta e dhunshme para Bashkisë së Tiranës, reagojnë ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së

Protesta e dhunshme para Bashkisë së Tiranës, reagojnë ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së

Lajme
Trajnimi i ushtarëve ukrainas, ambasadori Kapiti: Krenarë me përkushtimin e FSK-së

Trajnimi i ushtarëve ukrainas, ambasadori Kapiti: Krenarë me përkushtimin e FSK-së

Siguri
500 euro gjobë, 5 pikë negative, 6 muaj masë mbrojtëse e sekuestrim i veturës – Policia dënon vozitësin në Pejë

500 euro gjobë, 5 pikë negative, 6 muaj masë mbrojtëse e sekuestrim i veturës – Policia dënon vozitësin në Pejë

Kronika e Zezë
11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

Lajme
Kalo në kategori