LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Sulmi ndaj djalit të Rashiqit, sinjal për institucionet e Kosovës

Krasniqi: Sulmi ndaj djalit të Rashiqit, sinjal për institucionet e Kosovës

Të hënën është sulmuar djali i politikanit serb, Nenad Rashiq, Nikolla Rashiq, nga 30 persona në fshatin Llapnasellë të Graçanicës derisa po dilte nga shkolla, për të cilin ka pasur reagime të shumta nga politikanët shqiptarë po ashtu edhe nga shoqëria civile.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë intervistës për Telegrafin, sulmin ndaj djalit të Rashiqit e quajti të tmerrshme.


Ajo tha se në komunitetin serb në Kosovë që nga viti 2017 ka pasur frikësim nga Beogradi për tua përcaktuar se kënd duhet të votojnë.

“Ishte një lajm i tmerrshëm kur dëgjuam që djali i tij ishte rrahur brutalisht, edhe arsyet e artikuluara nga Rashiq ishin politike. Kemi parë  që komuniteti serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë që nga 2017 ka pasur një intimidim në fakt tek qytetarët serb se për kënd do të votojnë”, ka thënë ajo.

Krasniqi po ashtu tha se në komunitetin serb nuk ka garë të mirëfilltë demokratike në zgjedhjet të cilat janë mbajtur në Kosovë.

Krasniqi: Tentativa e Listës Serbe për fuqi vendimmarrëse në Kuvend, precedent i rrezikshëm dhe i papranueshëm
Lexo po ashtu Krasniqi: Tentativa e Listës Serbe për fuqi vendimmarrëse në Kuvend, precedent i rrezikshëm dhe i papranueshëm

Siç deklaroi ajo, qytetarët serbë nuk janë lejuar të votojnë apo mendojnë ndryshe nga Lista Serbe dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi siç tha ajo ata janë gjithmonë në shënjestër.

“Kemi parë që në momentin që është bërë marrëveshje e Brukselit në vitin 2013, kur janë mbajt dhe zgjedhjet legale ligjore në komunat me shumicë serbe në veri, formimin e Listës Serbe dhe ndikimin e Listës që ka drejtpërdrejtë me presidentit serb Vuçiq, ka pasur në përcaktimin e kësaj jo vetëm 10 vendeve  në kuvend dhe në pozicione të tjera. Kemi pa që nuk ka garë të mirëfilltë demokratike në zgjedhjet e komunave me shumicë serbe, pasi qytetarët nuk janë lejuar të votojnë për dikë tjetër dhe partitë politike që mendojnë ndryshe nga Lista Serbe dhe presidenti Vuçiq janë gjithmonë në shënjestër”, u shpreh ajo.

Krasniqi gjithashtu theksoi se edhe Bashkimi Evropian (BE) në vitin 2019 kishin evidentuar që në komunat me shumicë serbe nuk kishte zgjedhje të mirëfillta demokratike.

“Në 2017 kishte raportime, në 2019 kishte raportime qoftë nga Bashkimi Evropian dhe ekipet monitoruese që evidentuan dhe nënvizuan që në këto komuna nuk kishte zgjedhje të mirëfillta demokratike. Këtë herë zgjedhjet shkuan më qetësisht, por fakti që shkoi më qetësisht  do të thotë që është negative sepse është bërë një normalizim i presionit, i frikës, i shtypjes që i ushtrohet komunitetit serb, dhe ndikimit të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtarë”, tha tutje ajo.

Sipas saj, sulmi fizik që ndodhi të hënën ndaj djalit të Rashiqit duhet të jetë një sinjal për institucionet e Kosovës por edhe për faktorin ndërkombëtar që mos të lejojnë që në emër të stabilitetit të prodhohen hapësira të dhunës të frikës dhe presionit ndaj këtij komuniteti.

“Prandaj kjo që ndodhi dje duhet të jetë një sinjal, një thirrje jo vetëm nga institucionet e Kosovës por edhe nga faktori ndërkombëtar që e mbështesin  procesin e dialogut që mos të lejojnë që në emër të së ashtuquajturës stabilitet të prodhohen hapësira të dhunës të frikës të presionit ndaj komunitetit serb në Kosovë drejtpërdrejtë nga komuniteti serb apo nga presidenti serbë, Vuçiq”, tha ndër të tjera Jeta Krasniqi nga KDI. /Telegrafi/