LAJMI I FUNDIT:

KRAL MAJALES

KRAL MAJALES

Poezi nga: Allen Ginsberg
Përktheu: Fadil Bajraj

Edhe Komunistët s`kanë asgjë të ofrojnë veç faqe të mbushura dhe syze e policë të rrejshëm
edhe Kapitalistët u ofrojnë Napalm e para në valixhe të gjelbëra të Zhveshurve,
edhe Komunistët krijojnë industrinë e rëndë por edhe zemra po ashtu është e rëndë
edhe inxhinierët e bukur të gjithë kanë vdekur, teknikët e fshehtë konspirojnë për lavdinë e
tyre
në Ardhmëni, në Ardhmëni, por tani pijnë vodkë dhe vajtojnë Shërbimin e Sigurimit
edhe Kapitalistët pijnë xhin dhe whiskey nëpër aeroplane por lejojnë që miliona indianë të
zeshkët të vdesin urie
edhe kur bythecët Komunistë dhe Kapitalistë ngatërrohen njeriun e Drejtë e arrestojnë o e
plaçkisin o ia presin kokën,
por jo si Kabirit, edhe kolla e duhanit e njeriut të Drejtë mbi re në rrezet e ndritshme të
diellit është përshëndetje për shëndetin e qiellit të kaltër.
Sepse tri herë isha i arrestuar në Pragë, një herë sepse këndoja i dehur në rrugën Narodni,
një herë më rrëzoi në trotuarin e mesnatës një agjent mustakoç i cili bërtiti BOUZERANT,
një herë për humbjen e fletores sime të opinioneve të pazakonshme mbi seksin politikën
ëndrrën
dhe më dëbuan me aeroplan nga Havana detektivët në uniforma të gjelbëra,
dhe më dëbuan me aeroplan nga Praga detektivët në rroba biznesi,
Lojëtarët e letrave të Sezanit, dy kukulla të çuditshme që hynë në dhomën e Jozef K-së në
mëngjes
po ashtu hynë edhe në timen, dhe hëngrën në tavolinën time, e i shqyrtuan shkarravinat e
mia
dhe më ndoqën natën dhe në agim prej shtëpisë së dashnorëve deri te kafeneja Centrum —
E unë jam Mbret i Majit, që është fuqi e rinisë seksuale,
e unë jam Mbret i Majit, që është zell në gojëtari dhe veprim në dashuri,
e unë jam Mbret i Majit, që është floku i gjatë i Adamit dhe Mjekër e vet trupit tim
e unë jam Mbret i Majit, që në çekishte është Kral Majales,
e unë jam Mbret i Majit, që është poezi e lashtë Njerëzore dhe njëqind mijë njerëz ma
zgjodhën emrin,
e unë jam Mbret i Majit, dhe për disa minuta do të ateroj në Aeroportin e Londrës,
e unë jam Mbret i Majit, natyrisht, sepse jam me prejardhje sllave dhe Hebre Budist
i cili e adhuron Zemrën e Shenjtë të Krishtit trupin e kaltër të Krishnës shpinën e drejtë të
Ramasë
rruazat e nigerianit Çango që këndon Shiva Shiva në mënyrën që unë e kam shpikur,
dhe Mbret i Majit është nder i Europës Qendrore që më takoi mua në shekullin XX
përkundër anijeve të gjithësisë dhe Makinerisë së Kohës, sepse dëgjova zërin e Blakeut në
vizion,
dhe e përsëris atë zë. E unë jam Mbret i Majit që i buzëqeshur fle me tinejxherë,
E unë jam Mbret i Majit, që do të mund të jem i përzënë me nder nga Mbretëria ime, si
njëherë moti,
Për ta treguar dallimin mes Mbretërisë së Cezarit dhe Mbretërisë së Njeriut të Majit —
e unë jam Mbret i Majit, sado që paranoik, sepse Mbretëria e Majit është tepër e bukur që të
zgjasë më shumë se një muaj —
e unë jam mbret i Majit sepse e preka ballin me gisht duke përshëndetur
një vajzë të ndritshme e të trashë që i dridheshin duart, e cila tha “një moment, zoti
Ginsberg”
para se të ndërhynte një polic civil midis trupave tanë — shkoja për në Angli —
e unë jam Mbret i Majit që është duke u kthyer ta shohë Banhill Filldsin dhe të shëtisë nëpër
Hampsted Hith,
e unë jam Mbret i Majit në aeroplanin gjigant që është duke e prekur aerodromin e Albionit,
që dridhet nga frika
derisa aeroplani hungëron gjatë uljes në betonin e përhimtë, dridhet dhe dridh ajrin,
e rrotullohet ngadalë deri në ndalesën nën re nëpër të cilat ende shihet një pjesë e qiellit të
kaltër.
Dhe sado që jam Mbret i Majit Marksistët më kanë rrahur në rrugë, më kanë mbajtur tërë
natën në Stacionin e Policisë, më kanë ndjekur nëpër Pranverën e Pragës, fshehurazi
më arrestuan e më internuan me aeroplan nga mbretëria jonë.
Kështu që këtë poezi e kam shkruar në ulësen e aeroplanit në mes të Qiellit.

Më 7 maj 1965