LAJMI I FUNDIT:

Krah për krah me ju, për shumë dhjetëvjeçarë të tjerë!

Krah për krah me ju, për shumë dhjetëvjeçarë të tjerë!

Jam krenare që jam sot këtu si Ambasadore e ShBA-së në Shqipëri, duke festuar së bashku me kolegët tanë shqiptarë, këtë çast historik: 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.

Përvjetorët si ky janë një mundësi për të menduar sa larg kemi arritur, për të shprehur vlerësim për të gjithë shqiptarët për miqësinë e fortë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve tona, për të menduar se ku duhet të shkojmë më tej dhe për t’iu ripërkushtuar punës së bashku si miqtë dhe aleatët më të afërt.


Tridhjetë vjet më parë, më 15 mars 1991, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rifilluan marrëdhëniet e plota diplomatike pas 52 vitesh mosnjohjeje. Dhe kjo marrëveshje ishte vetëm e para nga shumë ngjarje të rëndësishme që ndodhën këtu në vitin 1991.

Do të doja të merrja disa minuta sot për të kujtuar se çfarë viti i jashtëzakonshëm ishte 1991 për Shqipërinë. George Bush ishte President i Shteteve të Bashkuara. James Baker ishte Sekretari i Shtetit. Të dy ftuan Ministrin e Jashtëm Muhamet Kapllani në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Më 15 mars, marrëdhëniet diplomatike u rivendosën zyrtarisht. Ai çast ndezi një çlirim aktivitetesh që hodhën bazat për një Shqipëri të re dhe një partneritet të ri midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Më 31 mars, saktësisht si sot 30 vjet më parë, Shqipëria mbajti zgjedhjet e para shumëpartiake të vendit që nga kapja nga komunizmi në vitin1944. Ishte një kohë ndryshimesh dhe trazirash në vend, një kohë kur populli shqiptar do të vendoste se kush duhet të ishin udhëheqësit e tij.

Pak muaj më vonë, më 22 qershor, Sekretari i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën. Rreth 300 mijë shqiptarë u ngjeshën në Sheshin “Skënderbej” për të dëgjuar Sekretarin Baker t’u thoshte se “liria funksionon” dhe për t’i nxitur të ecnin përpara drejt demokracisë. Jam e lumtur që Dr. Elez Biberaj, i cili përktheu fjalimin e Sekretarit Baker, është me ne sot.

Më 1 tetor, Ambasada e SHBA në Tiranë rihapi dyert e saj me Christopher Hillin si të Ngarkuarin me Punë dhe që u pasua nga ambasadori amerikan Ëilliam Edëin Ryerson, i cili i paraqiti letrat kredenciale qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Viti 1991 ishte me të vërtetë një fillim i ri, jo vetëm për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për zhvillimin e Shqipërisë si një vend demokratik dhe partner ndërkombëtar.

Gjatë tridhjetë viteve të shkuara, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri kanë përparuar dhe janë rritur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë një partner i fortë, aleate dhe mike e Shqipërisë teksa Shqipëria forcon demokracinë e saj, hap ekonominë dhe ofron mundësi për të gjithë njerëzit e saj. Shtetet e Bashkuara mbështesin synimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, siç bënë edhe kur mbështetën kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO.

Si një Aleate e çmuar e NATO-s, Shqipëria ka treguar qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj partneritetit tonë të sigurisë – kudo në botë. Jemi krenarë të qëndrojmë si aleatë të NATO-s bashkë me Shqipërinë.

Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e palëkundur në përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformën në drejtësi, për të forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen dhe për të krijuar kushtet për rritje gjithëpërfshirëse ekonomike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për një të ardhme demokratike, të sigurt dhe të begatë për Shqipërinë, si një anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të gjithë rajonit.

Kemi bërë shumë rrugë në 30 vjet dhe presim me kënaqësi të qëndrojmë krah për krah me ju për shumë dhjetëvjeçarë të tjerë!