LAJMI I FUNDIT:

Kosovë-Shqipëri, fate paralele individësh dhe procesesh

Kosovë-Shqipëri, fate paralele individësh dhe procesesh

Proceset janë më të rëndësishme se fatet e individëve. Thënia me një çiltërsi të thellë të ish-kryeministrit Majko, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Kosovë, është emblematike. Është një fjali e cila përshkruan në fakt se cila është natyra e disa proceseve ku ka hyrë përkatësisht Shqipëria dhe Kosova, (ndonëse Majko i referohej vetëm Kosovës) në fund të vitit 2017 dhe përgjatë vitit 2018. Ecuria e tyre krijon dilemën: Kush peshon më shumë: fatet e disa individëve, edhe të fuqishëm, edhe me spaleta meritash historike, apo proceset që e afrojnë kombin shqiptar me Perëndimin? Domethënë me modernizimin, përparimin shoqëror, hyrjen në shoqërinë e kombeve normale të organizuar?

Po i marrim me radhë se cilat janë këto procese, që kësisoj shënojnë një pikë cilësore të takimit të kombit shqiptar me Perëndimin. Në Kosovë pritet që të fillojë nga puna me kapacitet të plotë Gjykata Speciale, e cila sipas përshkrimit të punës përgatitur nga një ish-senator, një ish-hetues i nivelit të lartë zviceran, ka si fokus të ashtuquajturat krime të luftës të drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës, por edhe deri në vitin 2000. Në Kosovë, po ashtu pritet të mbyllet procesi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, një proces nga i cili varet apo është i ndërlidhur liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian, dhe Kosova është i vetmi vend i izoluar ndërkombëtarisht në kontinentin tonë. Kosova gjithashtu do të hyjë në një moment kyç në bisedimet me Serbinë.


2018 është quajtur nga Komisionerja Mogherini dhe nga pala tjetër në këtë dialog, Serbia, si një vit vendimtar ku Kosova do të marrë një drejtim të qartë-anëtarësim në OKB, apo zvarritje e kushtueshme e shtetësisë. Pra janë disa procese thelbësore që po zhvillohen në Kosovë, për të cilat ka interes ndërkombëtar. Parë kështu, fati i individëve të shënjuar nga Gjykata speciale, si parashikonte Majko, mund të sakrifikohet për shkak të së kaluarës, apo dhe për shkak të faktit se në 18 vjet pas luftës, ata njerëz vazhdojnë të dominojnë jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të Kosovës. Ballkani i njeh në legjenda therroritë në themelet e ndërtimeve që kanë mbijetuar.

Në Shqipëri, përkundër kësaj, në mënyrë paralele, në mënyrë të ngjashme, do fillojë nga puna Vetting-u, një proces spastrimi, i cili që në fillim është i fokusuar tek njerëzit e korruptuar të pushtetit të drejtësisë, tek prokurorët, tek gjyqtarët, proces që ka filluar me emërimin e kryeprokurores së përkohshme. Ama njëkohësisht do t’i japë dorë të lirë Prokurorisë së reformuar për të goditur politikën, sipas parimit “e para është veza dhe pastaj pula”. Do goditet ajo pjesë të vendimmarrjes së institucioneve shtetërore që ka më shumë peshë në jetën tonë dhe konsiderohet si pjesa më e korruptuar e sistemit tonë politik. Vetting-u ka krijuar reagime të formave kundërvënëse nga dy partitë, PD dhe LSI. Dikur në dy anë të kundërta të barrikadës ato kanë penguar Reformën në Drejtësi, në formulimin e kuadrit të saj ligjor dhe tani që janë pjesë të opozitës, dy partitë janë duke penguar veprimin e Vetting-ut tek drejtësia, duke menduar në të vërtetë goditjen e drejtësisë mbi politikën. Në Shqipëri po ashtu pritet që në mes të vitit 2018 të shqyrtohet dhënia e ftesës së Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë.

Janë këto procese të lartcekura, që pritet të ndërtojnë një raport të ri të kombit shqiptar me Perëndimin. Paralelet dhe zhvillimet shqiptare janë vërtet të ngjashme, edhe pse në të dyja zhvillimet roli i ndërkombëtarëve është thelbësor. Kundërvënia ndaj Gjykatës speciale, dhe Vetting-ut, si praktikë, bllokon liberalizimin e vizave për Kosovën, bllokon çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Të dyja këto procese, në botën shqiptare janë të rëndësishme për të forcuar subjektivitetin në kombin shqiptar, në zhvillimet globale.

2018-ta është kësisoj një vit kyç që shqiptarët duhet ta përcaktojnë orientimin e tyre strategjik me Perëndimin, duke e çuar këtë orientim në një nivel më të lartë. Për shkak të fateve të individëve të fuqishëm që përfaqësojnë grupe interesi, lidhje transversale, rezistencës së tyre të madhe, këto procese pritet që të vonohen. Ndaj shtrohet pikëpyetja se cilat do të jenë rrugët që kombi shqiptar, që pjesët më të ndritshme të tij, do të zgjedhë për t’i dhënë drejtim këtyre proceseve. Si do amortizohet kostoja e rezistencës së tyre?

Situata është delikate. Kosova është duke përjetuar një rënie të rëndësisë të saj ndërkombëtare. Kosova nuk shihet në sytë e Perëndimit si në ’99. Kosova nuk rezultoi një histori suksesi, ashtu sikurse do dëshironte Perëndimi përkundrejt botës islame, përkundrejt Ballkanit, ndonëse Kosova ka stabilizuar një jetë normale institucionale me konfliktualitet të ulët ndëretnik. Gjithsesi Kosova nuk është duke shënuar një rritje të rëndësishme ekonomike, që t’i mundësonte njerëzve të saj që zgjidhnin të jetonin në tokën e të parëve dhe jo të iknin nga sytë këmbët: 38 mijë kërkesa për vizë presin në ambasadat perëndimore shqyrtim që merr dhe 8 muaj në rastin më të keq.

Serbia kontrollon zhvillimet brenda Kosovës dhe e bllokon sa të mundet, ndonëse ka ruajtur pozicion monopol në ekonominë e Kosovës. Kosova në këtë kuptim është shndërruar në një lloj problemi të Perëndimit. E bash në këtë moment Kosova duhet të marrë një vendim të rëndësishëm, madje disa vendime të rëndësishme. Njerëzit më të fuqishëm të Kosovës, ata që drejtojnë atë, duhet të pranojnë pa kundërvënie zhvillime, procese që ndoshta do të gllabërojnë fatet e individëve. Përndryshe vendi i tyre në historinë e paqes do kontestohet si paralajmërohet nga deklarata e vendeve të Kuintit që dënon përpjekjet për të shfuqizuar Gjykatën speciale. Edhe në Shqipëri mund të ndodhë e njëjta gjë: mund të ketë një ripozicionim të aktorëve, grupeve të interesit dhe palëve politike, që hëpërhë po tentojnë të krijojnë artificialisht një kauzë proteste e cila nuk mobilizon dot shumë njerëz, veçse mund të krijojë idenë e tokës së djegur, të një vendi që nuk meriton çeljen e negociatave.

Është ky momenti kur mund të krijohet hapësirë që forcat më të ndërgjegjshme, më largpamëse të botës shqiptare të bashkëpunojnë në dy drejtime. Qoftë duke forcuar pozitën e Kosovës në bisedimet me Serbinë. Qoftë të garantojnë, atë që pritej prej disa kohësh, çelja e negociatave të Shqipërisë me BE-në të ndodhë në mes të vitit të ardhshëm. BE-ja vetë me gjithë lodhjen nga zgjerimi, apo problemet e saj, në emër të kundërvënies ndaj ndikimit rus, nuk dëshiron që Shqipëria (ndonëse më imune ndaj këtij ndikimi) të mbetet prapa vendeve të tjera të Ballkanit, prapa konstelacionit sllav, Serbisë, Malit të Zi apo Maqedonisë, që janë përpara. Kosova mjerisht do mbetet pas, për shkak të mohimit të shtetësisë së vet prej Serbisë, por nuk ka kthim mbrapa në shtetësinë e saj. Perëndimi nuk e krijoi Kosovën si shtet që t’ia kthejë Serbisë.

Me gjasë pjesë të caktuara të shtetit të Kosovës po mundohen ta pengojnë punën e Gjykatës Speciale me mjete legale, apo dhe jo të tilla, diçka që në fakt tregon qoftë frikën nga gjyqësia ndërkombëtare, qoftë dështimin e EULEX-it.

Me gjasë që opozita e drejtuar nga z. Basha e znj. Kryemadhi po përpiqet që në mbrojtje të fatit të disa individëve të kërcënuar nga Reforma në Drejtësi, të krijojë një situatë që ftesa të bëhet edhe më e vështirë.

Nëse faktorët pozitivë, largpamës, kombëtarë e vlerësojnë rëndësinë e momentit, dhe orientojnë energjitë popullore drejt, atëherë proceset do marrin rrugë normalisht. Faktorët pengues do të mbeten në minorancë dhe nuk do guxojnë të përdorin gjithë burimet ekonomike, financiare që kanë në dispozicion.

Këto janë disa prej sfidave që 2018 i ka rezervuar shqiptarëve. Duhet të shpresojmë se udhëheqësit e saj, udhëheqësit e popullit shqiptar do të kenë dritën e nevojshme të gjykimit që këto procese të mos vonohen dhe të mos kthehen mbrapa. Fatet e individëve pritet të shikohen nga Zoti, në peshoren e drejtësisë së tij hyjnore.