LAJMI I FUNDIT:

Kosova do ta aplikojë vendimin për masa mbrojtëse për qumështin nga Bosnja

Kosova do ta aplikojë vendimin për masa mbrojtëse për qumështin nga Bosnja

Të hënën më 23 prill, duhet të fillojë aplikimi i vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), për masat mbrojtëse për qumështin i cili importohet nga Bosnja dhe Hercegovina. Këto masa ishin marrë për shkak se qumështi nga ky vend në tregun e Kosovës shitet më lirë sesa në vendin e origjinës e më këtë po dëmtohen prodhuesit vendorë të qumështit.

Durim Limaj, shefi i Kabinetit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se vendimi për masa mbrojtëse për qumështin i cili importohet nga Bosnja e Hercegovina do të aplikohet ashtu siç është paraparë.


“Mund ta konfirmoj që vendimi i ka shtatë ditë afat ligjor deri në hyrje në fuqi. Nuk kemi ndonjë vendim tjetër deri më tani”, ka thënë Durim Limaj për Telegrafin.

Ndryshe, portali nga Bosnja dhe Hercegovina www.klix.ba ka raportuar se presidenti i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq gjatë takimit në Shkup me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, janë dakorduar që Kosova ta shtyjë afatin për vendosjen e masave mbrojtëse për qumështin nga Bosnja e Hercegovina.

Kurse, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka thënë më 16 prill, se vendimi për masa mbrojtëse për qumështin është bazuar në kompetencat ligjore në pajtim me nenin 1 dhe paragrafin 1, të nenit 2, të Ligjit nr. 041/L-047, si dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes së CEFTA-s.

“Vendimi ka ardhur pas një hetimi që është konstatuar se importi nga Bosnja dhe Hercegovina është rritur mbi masën 20 për qind dhe ka ndikuar në dëmtimin e produkteve vendore për faktin se importi i produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina është me çmim të ulët i cili është nën koston e prodhimeve vendore të qumështit”, kishte njoftuar MTI.

Siç parashihet në nenin 8 të Ligjit për Masat Mbrojtëse në Importe, ka bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se rritja e importit, si dhe kushtet në të cilat kryhet ky import, kërcënon që t’u shkaktojë, sipas MTI-së dëme serioze prodhuesve vendorë të produkteve të ngjashme.

Masat mbrojtëse sipas vendimit të MTI-së prekin mijëra prodhues dhe përpunues të qumështit që operojnë në tregun e Kosovës. “Kjo masë mbrojtëse afekton rreth 3 mijë bujq fermerë që kanë ferma me nga 5 e deri 250 lopë dhe mbi 30 përpunues të qumështit”, theksonte njoftimi i MTI-së.

Shkrimi i plotë i portalit klix.ba

Zvizdiq dhe Haradinaj ranë dakord që Kosova të shtyjë afatin për vendosjen e sanksioneve me Bosnje dhe Hercegovinën

Presidenti i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq është takuar në Shkup me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në takim është rënë dakord që Kosova të shtyjë afatin për vendosjen e sanksioneve ndaj Bosnje dhe Hercegovinës në lidhje me importimin e produkteve të qumështit.

Zvizdiq tha se ndërtimi i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor mbetet një objektiv i përhershëm i Bosnjës e Hercegovinës dhe që vendi ynë përshëndet dhe mbështetë çdo vazhdim të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Gjithashtu, ata diskutuan për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe arritën në përfundim se tregtia midis Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës do të ishte më e lartë nëse do të ishte i rregulluar regjimi i vizave që do të mundësonte transport të shpejtë dhe efikas në transportin e njerëzve dhe mallrave, ku për këtë vuajnë padrejtësisht qytetarët dhe biznesmenët.

Zvizdiq dhe Haradinaj diskutuan shtyrjen e sanksioneve që Kosova synon t’i vendos Bosnjës e Hercegovinës, në lidhje me importin e qumështit dhe produkteve të saja nga Bosnja e Hercegovina. Ata ranë dakord që ky vendim duhet të diskutohet në takimin e përfaqësuesve të ministrive përkatëse, e cila pritet të mbahet në javën e ardhshme.

Zvizdiq tha se për shkak të ardhmërisë së gjeneratave të reja, vendet e rajonit duhet të ecin përpara dhe të forcojnë marrëdhëniet miqësore, të ndërtojnë transportin, energjinë dhe infrastrukturën digjitale dhe të zbatojnë standardet e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike, Mirko Saroviq, tha se vendimi është një shkelje e rregullave të CEFTA-së dhe do të kërkojë bisedime urgjente.

“Vendimi ende nuk është pranuar zyrtarisht, por ne u pajtuam që ta vizitojmë ministrinë e tyre të Tregtisë. Ky vendim paraqet shkelje e rregullave të CEFTA-së dhe se në këtë moment ne jemi duke u përpjekur që ta vonojmë zbatimin e vendimit në mënyrë që të krijojmë hapësirë për diskutime në të dyja palët, gjithashtu përfshirjen e CEFTA-së”, tha Saroviq. /Telegrafi/