Tanimë, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të kontrollojnë nivelin e cilësisë së ajrit në kohë reale, të ndjekin rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit të tyre, si dhe të njoftohen me parashikimin e cilësisë së ajrit për ditët në vijim.

Të dhënat mbi cilësinë e ajrit do të jenë të qasshme përmes portalit të ri zyrtar të cilësisë së ajrit, aplikacionit mobil, uebfaqes zyrtare të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), dhe uebfaqes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), si dhe mediave elektronike, stacioneve televizive dhe radiove. Të gjitha këto burime të informatave janë zhvilluar për të komunikuar dhe vizualizuar cilësinë e ajrit në një gjuhë sa më të thjeshtë, të kuptueshme, të saktë dhe lehtë të qasshme në çdo kohë, vend dhe nga çdo qytetar.

Ashtu si portali shtetëror i cilësisë së ajrit, edhe aplikacioni mobil, ofrojnë informata mbi cilësinë e ajrit të siguruara në kohë reale nga 12 stacionet monitoruese të vendosura në tërë Kosovën.

Sistemi i ri informativ për kualitetin e ajrit ndihmon mediat, shoqërinë civile, sektorin privat të kenë informata të plota dhe iu mundëson atyre të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet qeveritare dhe të përdorin këto të dhëna të hapura për të zhvilluar politika dhe ndërmarrë vendime për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë bazuar në këto të dhëna.

Sarah Olmstead, drejtoreshë e MCC-së për Kosovë, ndau shqetësimin e saj për cilësinë e dobët të ajrit si dhe pasojat shëndetësore që shkakton sidomos tek ata që vuajnë nga astma. “Ne po mbështesim Ministrinë e Ekonomisë dhe Mjedisit të përmirësojnë rrjetin monitorues të cilësisë së ajrit, si dhe të publikojnë të dhënat në mënyrë që nxisin analizë të politikave dhe ndërmarrje të hapave konkret për planifikim në të mirë të vendit dhe mirëqenies sonë.” shtoi znj. Olmstead.

Naser Ramadani, Drejtor Ekzekutiv i IKSHPK-së theksoi: “Ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë qenë pjesë aktive e grupeve punuese, trajnimeve dhe në hartimin e të gjitha dokumenteve dhe materialeve edukative që do të shpërndahen ne tërë Kosovën, në kuadër të këtij projekti. Komunikimi i saktë i cilësisë së ajrit dhe burimeve të ndotjes janë kyçe për shëndetin e qytetarëve andaj ne jemi të fokusuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rreziqet nga ndotja e ajrit, në veçanti tek grupet specifike, si dhe ndryshimin e sjelljes me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre në varësi të nivelit të ndotjes.”

Letafete Latifi, Drejtore e IHMK-së u shpreh mirënjohese për mbështetjen që ka marrë ky institucion nga MFK në përmirësimin e performancës dhe përmbushjen e obligimit të vet ligjor e institucional në monitorimin dhe informimin për cilësinë e ajrit në Kosovë. Më tutje ajo tha: “Zhvillimi i rrjetit të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe rrjetit të komunikimit që ofron të dhëna për cilësinë e ajrit në kohë reale, përmes portalit të cilësisë së ajrit në Kosovë dhe aplikacionit për telefona të menqur janë instrumente kyçe për të informuar publikun për cilësinë e ajrit në vendin ku jetojnë.”

Petrit Selimi, drejtor i MFK ka deklaruar se investimi në dy institutet kombëtare të shëndetësisë dhe atij hidrometeorologjik krijon një urë të re dhe të qëndrueshme të informimit të publikut por edhe të krijimit të një burimi të besueshëm të të dhënave qe lehtëson identifikimin e zgjidhjeve për zvogëlimin e ndotjes.

Videot vetëdijësuese, broshura për cilësinë e ajrit, fletët me fakte për grupet e ndjeshme si fëmijët, grtë shtatëzëna, personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike, si dhe posteri për cilësinë e ajrit janë disa nga materialet që kanë për qëllim informimin e publikut lidhur me ndotjen e ajrit dhe ndikimin e tij në shëndetin e tyre.

Projekti për Cilësinë e Ajrit, mbështetur nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës, ka për qëllim të ndihmojë Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) në mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve për cilësinë e ajrit, si dhe të informojë publikun në lidhje me rreziqet e shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i ndërmarrin për t’a mbrojtur veten. Projekti ka mundësuar investimin në stacionet e reja për kontrollin e ajrit, një bashkëinvestim në mes MCC dhe agjensionit zhvillimor japonez JICA, softuerit adekuat si dhe aplikacioneve përkatëse. Kjo nismë bën pjesë në vazhdën e përpjekjeve të MFK-së drejtë përmirësimit të disponueshmërisë publike dhe përdorimit analitik të të dhënave mjedisore nga bizneset, qeveria, shoqëria civile dhe OJQ-të, duke promovuar në këtë mënyrë vendimmarrjen e nxitur nga të dhënat.

Aktiviteti për Mbledhjen e të Dhënave Mjedisore është projekt që implementohet nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) që është subjekti zbatues i Programit “Threshold” me vlerë $49 milion i arritur midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), një agjenci e pavarur amerikane për ndihma të jashtme. Programi “Threshold” i Kosovës i adreson dy çështje kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës: furnizimi jo i qëndrueshëm me energji elektrike dhe sundimi i dobët i ligjit.