Edicioni i dytë i Expo Real Kosova 2026 është hapur zyrtarisht sot në Sallën e Panaireve në Prishtina Mall, duke mbledhur kompani, investitorë dhe profesionistë të sektorit të patundshmërive, ndërtimit dhe zhvillimit urban.

Ceremonia zyrtare e hapjes nisi me fjalën mirëseardhëse të organizatorit të panairit, Ekrem Tahiri, i cili përshëndeti përfaqësuesit e institucioneve, sponsorët, partnerët, ekspozuesit, mediat dhe mysafirët e pranishëm.


Expo Real Kosova po konsolidohet si një platformë e rëndësishme për prezantimin e projekteve të reja zhvillimore, promovimin e mundësive për investime dhe krijimin e bashkëpunimeve ndërmjet kompanive nga Kosova, Shqipëria, rajoni dhe më gjerë.

Në ceremoninë e hapjes foli edhe Krenar Batusha, CEO i Pro Real Estate, Sponsorit Gjeneral të Expo Real Kosova 2026. Pro Real Estate u falënderua për mbështetjen, besimin dhe partneritetin në realizimin e edicionit të sivjetmë.

Të pranishmëve iu drejtua gjithashtu Andri Kasneci, CEO i ABA Properties – Baks Bay Albania, Sponsorit të Artë të këtij edicioni, duke përfaqësuar një prej projekteve dhe kompanive pjesëmarrëse në panair.

Pjesa e fjalimeve zyrtare u përmbyll nga Mario Madeira, General Manager i Prishtina Mall. Si nikoqir dhe partner i rëndësishëm, Prishtina Mall ka ofruar hapësirën dhe kushtet e nevojshme për organizimin e panairit.

Foto: Telegrafi

Pas ceremonisë, pjesëmarrësit vazhduan me vizitën zyrtare nëpër stendat e ekspozuesve, ku u prezantuan kompani, projekte rezidenciale dhe komerciale, oferta investimi, materiale ndërtimore dhe mundësi të reja bashkëpunimi.

Gjatë tri ditëve të panairit, vizitorët do të kenë mundësi të takojnë kompani ndërtimore, agjenci të patundshmërive, investitorë, institucione financiare, arkitektë, kompani projektuese dhe ofrues të teknologjive dhe materialeve për ndërtim.

Programi përfshin edhe prezantime, takime biznesore dhe panele diskutimi mbi financimin, klimën e investimeve, kushtet e ndërtimit, standardet e cilësisë, zhvillimin urban dhe perspektivën e tregut të patundshmërive.

Foto: Telegrafi

Expo Real Kosova 2026 është i hapur për qytetarë, investitorë, përfaqësues të bizneseve dhe të gjithë ata që janë të interesuar për blerje, shitje ose investime në patundshmëri.

Vizitoni panairin dhe njihuni nga afër me projektet, ofertat dhe mundësitë më të reja për investime në Kosovë dhe rajon.