LAJMI I FUNDIT:

Kosova prezanton ofertat e turizmit në panairin ‘Emitt 2022’ në Turqi

Kosova prezanton ofertat e turizmit në panairin ‘Emitt 2022’ në Turqi

Në datat 9 – 12 shkurt 2022, pesëmbëdhjetë biznese të Kosovës nga sektori i turizmit do të prezantojnë ofertën turistike të Kosovës në panairin EMITT, një ndër panairet kryesore të turizmit në botë.

Organizimin për pjesëmarrjen e Kosovës në panairin EMITT (Ekspozita Ndërkombëtare e Turizmit dhe Udhëtimit në Mesdheun Lindor), e ka marrë përsipër Unioni i Turizmit të Kosovës (UTK), në kuadër të përpjekjeve të kësaj organizate që të zhvillojë jo vetëm turizmin brenda vendit, por edhe ta promovojë Kosovën denjësisht në botë si një destinacion tërheqës dhe me ofertë të pasur.


“Duke patur parasysh efektet e pandemisë në sektorin e turizmit, Kosova tani ka nevojë të jashtëzakonshme për promovim. Edhe këtë vit, ashtu si në vitet e mëparshme, UTK e ka organizuar pjesëmarrjen e Kosovës në EMITT. Vendi ynë do të përfaqësohet nga 15 biznese nga sektori i turizmit, si hotele, operatorë turistikë apo dhe pika atraksioni” thotë Baki Hoti, Drejtori Ekzekutiv i UTK-së.

Hoti thekson se përveç pjesës së promovimit, bizneset e Kosovës do të kenë edhe takime B2B me agjenci turistike ndërkombëtare dhe pritet që këto takime të rezultojnë në marrëveshje dhe bashkëpunime të mëtejshme.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen e organizatës Swisscontact, projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat, për të realizuar pjesëmarrjen e bizneseve të Kosovës si ekspozues në këtë panair”, thotë Baki Hoti.

Që nga viti 2014, Swisscontact bashkëpunon me sektorin privat në Kosovë për ta përmirësuar ofertën turistike të vendit, menaxhimin e destinacionit, dhe promovimin e Kosovës ndërkombëtarisht.

Unioni i Turizmit të Kosovës ka për qëllim forcimin dhe zhvillimin e sektorit të turizmit, transmeton Telegrafi.