LAJMI I FUNDIT:

Kosova katër pozita më ulët në raportin e të bërit biznes – energjia dhe korrupsioni ndër faktorët kryesorë

Kosova katër pozita më ulët në raportin e të bërit biznes – energjia dhe korrupsioni ndër faktorët kryesorë
Foto: Ilustrim

Rënia e Kosovës për katër pozita në raportin e të bërit biznes, konsiderohet shqetësim për përfaqësuesit e bizneseve.

Sipas tyre, vendi ynë duhet të përmirësojë sundimin e rendit dhe ligjit, luftimit të korrupsionit, si dhe reduktimin e burokracisë.


Në raportin e “Doing Business 2019”, të publikuar nga Grupi i Bankës Botërore, Kosova radhitet në pozitën e 44-të nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 40-të ku ka qenë vitin e kaluar.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, për Telegrafin ka thënë se mungesa e reformave ka ulur Kosovën në rangim.

“Rangimi më i ulët i Kosovës këtë vit mund t’i dedikohet mungesës së reformave krahasuar me vitin paraprak, e për këtë natyrisht që duhet cekur edhe mungesën e paprecedentë përgjatë viteve të fundit në dialogun publiko-privat, për çka Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka bërë thirrje të vazhdueshme që të jetë më aktiv”, tha Zeka.

Ai tha se Kosova duhet të punojë në përmirësimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

“Rangimi këtë vit është dëshmia më e mira se reformimi i vazhdueshëm i mjedisit për të bërë biznes dhe dialogut i Qeverisë me sektorit privat nuk ka alternativë. Pavarësisht rangimit, Kosova duhet të vazhdojë të promovojë mundësitë e investimeve në vend, por edhe të punojë vazhdimisht në përmirësimin e sundimit të rendit e të ligjit, luftimit të korrupsionit, si dhe reduktimin e burokracisë”, tha ai.

Raporti 'Doing Business 2019': Kosova zbret për katër vende
Lexo po ashtu Raporti 'Doing Business 2019': Kosova zbret për katër vende

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, për Telegrafin ka thënë se rënia e Kosovës në katër vende është moszbatueshmëria e ligjeve.

“Rënia e Kosovës në katër vende është si rezultat i politikave të cilat për kundër ekzistimit të ligjeve nuk janë duke u zbatuar dhe kjo është një brengosje për të gjithë vendin. Gatishmëria e institucioneve të vendit për të bërë më mirë ekziston, por statistikat po na paraqesin më keq, ku kjo na tregon se ne duhet të bëjmë statistika që t’i ndryshojmë statistikat në mënyrë pozitive dhe jo të bëjmë politika populiste që nuk ndryshojnë gjendjen në terren”, tha Shahini.

Ai tha se problemet që kanë bizneset janë të trashëguara nga viti në vit dhe se duhet të vazhdohet edhe më tutje me reforma.

“Mungesa e energjisë elektrike, zbatimi i kontratave, borxhet dhe të gjitha këto janë probleme shpesh të trashëguara nga viti në vit. E vërteta është se edhe më tutje duhet të vazhdoj reformat, sidomos në disiplinën fiskale, disiplinën rreth respektimit të rendit dhe ligjit dhe njëkohësisht zbatimi i reformave që kanë të bëjnë me zbatueshmërinë e politikave më konkurruese karshi vendeve të ndryshme të rajonit”, tha për Telegrafin, kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

Pronari i kompanisë për përpunimin e mishit “Meka”, për Telegrafin ka thënë se ambienti i të të bërit biznes në Kosovë nuk është i volitshëm.

“Në momentin që në Serbi ka afër 9 miliardë euro investime të huaja brenda vitit, kurse në vendin tonë ka vetëm disa qindra miliona euro, atëherë nga këtu e kuptojmë se a kemi apo nuk kemi ambient të të bërit biznes në Kosovë. Pa marr parasysh se asaj që flitet, që proklamohet dhe asaj që i bëhet marketing i madh, biznismen dhe korporata të mëdha bëjnë hulumtime vetanake me të cilat e shohin si vend se a është i gatshëm për të pranuar investime të huaja”, tha për Telegrafin, Piraj.

Ai tha se Kosova është larg vendeve të rajonit në të bërit biznes.

“Nëse Kosovën e krahasojmë me vetveten, nga viti 2006 kur Marrëveshja e CEFTA-së ka hyrë në fuqi deri më sot themi se ka përmirësime, por nëse e bëjmë krahasimin e Kosovës me shtetet fqinje, atëherë vendi ynë është larg me vendet e rajonit”, tha ai.

Piraj ka folur edhe për problemin e bizneseve që po përballen me reduktimet e rrymës dhe sipas tij në zgjidhjen e këtij problemi, duhet të kyçen edhe institucionet e vendi.

“Lidhur me problemin e reduktimet e rrymës duhet të kyçen edhe institucionet e vendit, sidomos Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Fakti që është privatizuar KEK me arsyetimin që të ketë furnizim 24-orë me energji elektrike, atëherë duhet të ndërhyhet”, tha Piraj.

Ndryshe, raporti “Doing Business 2019”, Kosovën e radhit në pozitën e 113-të që lidhet me furnizimin me energji elektrike.

“Kosova radhitet e 13-ta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 51-ta në tregtinë ndërkufitare, e 100 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 95-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 113-ta në furnizimin me energji elektrike, e 50-ta në zbatimin e kontratave, e 44-ta në pagesën e tatimeve, e 37-ta në regjistrimin e pronës dhe e 50-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës”, thuhet në raport.

Për sa i përket rajonit, Maqedonia vazhdon të qëndrojë në krye të listës, përkatësisht në pozitën e 10-të, poshtë Kosovës gjendet Serbia në pozitën e 48-të, Mali i Zi në atë të 50-në dhe Kroacia në pozitën e 58-të. Këtë vit Shqipëria kalon në pozitën e 63-të nga 65-ta që ishte një vit më herët. /Telegrafi/