LAJMI I FUNDIT:

Kosova fiton rastin kundër “IuteCredit” në Arbitrazh

Kosova fiton rastin kundër “IuteCredit” në Arbitrazh

Kosova ka fituar rastin ndaj kompanisë mikrofinanciare “IuteCredit” në arbitrazhin ndërkombëtar, ka njoftuar kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë se kjo është fitore e radhës e cila vërteton ligjshmërinë e veprimeve institucionale ndaj investitorëve.


“Republika jonë ka krijuar ambient të përshtatshëm për investime të huaja dhe marrëdhënieve me investitorë i qaset me përkushtim e seriozitet të plotë”, ka shkruar kryeministri në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, ka thënë se kompania “IuteCredit” kishte paditur shtetin e Kosovës në arbitrazh me pretendimin që revokimi i licencës nga Banka Qendrore e Kosovës ishte arbitrar dhe i paligjshëm, pretendime këto që u hodhën poshtë në tërësi nga Tribunali i Arbitrazhit.

“Paneli i arbitrave vërtetoi që institucionet tona nuk kanë shkelur ndonjë nga obligimet e parapara sipas Ligjit për Investime të Huaja, duke konfirmuar ligjshmërinë e tyre”, ka shkruar mes tjerash kreu i ekzekutivit.

“Ministria e Drejtësisë, së bashku me Avokaturën Shtetërore, janë siguruar që Kosova të përfaqësohet dhe mbrohet denjësisht gjatë gjitha fazave të procedurës në arbitrazh, duke ia përkushtuar të gjitha resurset e nevojshme ekipit mbrojtës për ta bërë të mundur këtë rezultat”.

Si pasojë e kësaj, Ministria e Drejtësisë i ka shpëtuar buxhetit të taksapaguesve mbi 30 milionë euro.

“Gjatë këtij mandati qeverisës, kjo është fitorja e dytë e Kosovës në arbitrazhin e investimeve, pas rastit Selmani në padinë ndaj shtetit me vlerë të pretenduar rreth 65 milionë euro”.

Në fund, Kurti ka falënderuar Ministrinë e Drejtësisë, Avokaturën Shtetërore në kuadër të Ministrisë si dhe ekipin përfaqësues të Squire Patton Boggs, për fitoren e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/