‘Kosova e Re’ sponsor i KB Bashkimit?

Bashkimi do të bëhet shumë shpejt me ‘zot shtëpie’. Pasi e ndërpreu bashkëpunimin me kompaninë e sigurimeve SigKos, klubi prizrenas brenda pak orësh do të ‘lidhet’ me një tjetër kompani sigurimesh.
Bëhet fjalë për atë ‘Kosova e Re’, e cila pritet ta mbajë financiarisht ekipin portokalli së paku për një sezon, raporton Express.
Burime të Expressit brenda klubit prizrenas bëjnë të ditur se pothuajse gjithçka është gati për nënshkrimin e kontratës në mes të të dyja palëve.
“Është në pyetje kompania e sigurimeve ‘Kosova e Re’. Palët janë në negociata dhe 90 për qind është e sigurt se kjo marrëveshje do të konkretizohet”, njofton ky burim, i cili tregon se brenda 2-3 ditësh do të konfirmohet gjithçka.
Përpos kompanisë ‘Kosova e Re’, Bashkimi pritet të përkrahet edhe nga disa biznese të vogla të qytetit të Prizrenit.
Pasi ta rregullojnë çështjen financiare, ekipi buzë Shatërvanit do të mendojë edhe për përforcime. Ata do ta bëjnë një gërshetim ndërmjet lojtarëve me përvojë dhe atyre të rinj, nga ekipi i juniorëve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e përforcimeve edhe me lojtarë nga jashtë.
Me sponsorin e ri, ‘Arpaxhikët’ synojnë që, si çdo sezon tjetër, edhe në edicionin e ri të plasohen sa më lart në tabelën e ETC Superligës. Në sezonin e fundit, Bashkimi përfundoi në pozitën e tretë. /Telegrafi/




















































