LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshjen për zhvillimin e tregjeve financiare

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshjen për zhvillimin e tregjeve financiare

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, Ervin Mete kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në funksion të rregullimit, licencimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve.

Përmes këtij Memorandumi BQK-ja dhe AMF-ja vendosin një sistem bashkëpunimi reciprok dhe shkëmbim të informacioneve mes palëve, bazuar në rëndësinë e zhvillimit të tregjeve financiare të të dyja vendeve, i cili do të shtrihet në tregjet e sigurimeve apo risigurimeve, tregjet e kapitalit, aktivitete të tjera financiare jobankare.


Sipas komunikatës për media nga BQK-ja, thuhet se Mehmeti ka vlerësuar të rëndësishëm nënshkrimin e këtij Memorandumi.

Ai u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit reciprok mes dy rregullatorëve në adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, në funksion të mbarëvajtjes dhe zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje.

Ndërsa, Mete duke theksuar se marrëveshja e re e bashkëpunimit i përgjigjet jo vetëm zhvillimeve të kohës, por edhe çështjeve që kanë dalë në pah ndër vite mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Me anë të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit, parashihet vlefshmëria reciproke e policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, detyrimet reciproke mbi praktikat e dëmeve.

Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nga të dyja palët, do të jetë në fuqi për një periudhë kohore të pakufizuar, derisa i njëjti shfuqizon Memorandumin e mëparshëm që ishte në fuqi nga viti 2008. /Telegrafi/