LAJMI I FUNDIT:

​Kosova dhe Holanda me marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë

​Kosova dhe Holanda me marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems kanë nënshkruar sot më 29 korrik 2020 marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe parandalimin e evazionit tatimor dhe shmangies.

Sipas MF-së, marrëveshja kontribuon në një bashkëpunim të përmirësuar ekonomik ndërmjet dy vendeve, sepse përmban rregulla të qarta për të shmangur tatimin e dyfishtë.


“Kjo do të rezultojë në më pak pengesa tregtare për bizneset holandeze dhe kosovare dhe në këtë mënyrë do të kontribuojë në përmirësimin e klimës së biznesit”, njofton MF-ja.

Ministrja theksoi se Qeveria e Kosovës po mbështet masat e menjëhershme me politika të qëndrueshme që do të ndihmojnë bizneset gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike.

Willems theksoi se Holanda do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve kosovarë.

“Mbështetja Holandeze për Kosovën ka një fokus në forcimin e sundimit të ligjit, por gjithashtu mbulon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, pasi gjithnjë e më shumë kompani holandeze tregojnë interes për të bërë biznes me Kosovën”, tha Willems.

MF thotë se kjo Marrëveshje do të promovojë marrëdhëniet tregtare. /Telegrafi/