Kosova C – interesi personal si interes kombëtar

Është interesant sesi vendimin për termocentralin “Kosova C (e re)” Hashim Thaçi e prezantoi si “partneritet të shkëlqyeshëm” mes ShBA-ve dhe Kosovës (siç e ka zakon të shprehet ky kryeministri ynë). Termocentralin “Kosova C” Hashim Thaçi dhe Ahmet Shala vazhdimisht e kanë prezantuar si investim të jashtëm, edhe kur s’e kanë thënë është nënkuptuar si investim i jashtëm i ShBA-ve në Kosovë. Zatën kështu manifestohet “miqësia e përhershme”, një marrëdhënie ku jipet dhe mirret. Në anën tjetër (e kam fjalën për anën nga e cila kryesisht mirret) kemi pas shfaqje të rregullta të ish-ambasadores Tina Kaidanow dhe ish-zëvendës PSSP-së Steven Schook dhe përfaqësues të USAID-it të cilët kanë folur për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për urgjencën e zhvillimit të kapaciteteve energjetike si domosdoshmëri për thithjen e “investimeve të huaja”. Bile edhe nobelisti ynë, Marti Ahtisaari, në vizitën e tij të fundit në Kosovë me rastin e njëvjetorit të Kushtetutës së tij na foli për “tërheqjen e investimeve të huaja”. Banka Botërore (gjithnjë në të njëjtën anë) ka aktruar për bukuri rolin e “avokatit të djallit”, të atij që ngre pyetje serioze rreth këtij projekti kapital; të arbitrit që nuk lejon shkarjen prej “standarteve dhe praktikave më të mira ndërkombtare”, që brengoset për “interesat e komunitetit”. Goxha bankë! S’e di a duhet të them ndonjë gjë për ministrinë e energjisë përveçse të përmend faktin se kemi dëgjuar pëshpërima se ajo është në anën tonë (të atyre që japin), por me gjasë ne jemi shurdhuar sepse në fund s’dëgjuam gjë nga kjo ministri.
Kompani të mëdha janë të përfshira në tenderin për “Kosova C”, kompani globale multi-miliardëshe nga ShBA-të, Gjermania, Italia, etj. Këto kompani nuk ia lënë asgjë rastit, aty ku ka potenciale të mëdha për fitime materiale ato janë aty dhe sigurohen që superstruktura politike dhe legjislative vendore është nën shërbimin e tyre administrativ. Kjo përfshin korruptimin e politikës vendore e cila krijon “lehtësime” për thithjen e investimeve të huaja. Në këtë pikë kemi hyrjen në lojë të përfaqësuesve politik të vendeve prej nga vijnë kompanitë (si p.sh. ambasadorët apo agjensitë për zhvillim) si përforcime që i shtyjnë përpara interesat e këtyre kompanive. Paraqitja publike e një ambasadori që flet për urgjencën e investimeve të huaja në energjetikë vërtet duhet kuptuar si prezantim të qëndrimit të shtetit prej nga vjen ambasadori. Por pyetja që duhet shtruar është, si formulohet qëndrimi i shtetit mysafir ndaj shtetit mikpritës? Athua e thërrasin vërtet për çdo ditë në telefon ambasadorin nga Ministria e Punëve të Jashtme të tij për ta pyetur sesi i ka punët Kosova? Përveç në aspektin e përgjithshëm të stabilitetit të brendshëm (veçanërisht atij ndëretnik) dhe atij rajonal, absolutisht jo. Pjesa më e madhe e qëndrimit politik formulohet nga raportet që ambasada i dërgon në shtetin e vet, që është një dinamikë e brendshme e interesave ekonomike të oligarkisë vendore-ndërkombtare.
Maskimi i interesit personal si interes kombëtar i vendit amë ilustrohet më së miri me rastin e Steven Schook-ut. Si zëvendës-PSSP ai kurrë nuk reshti së foluri për “Kosova C”, këtë nuk harronte ta bënte në kapacitetin e tij si “amerikan”. Ishte aq i qartë bashkëpunimi Steven Schook-AAK-Kosova C sa kjo punë u ra në vesh edhe hetuesve të OKB-së për shkak të të cilëve Schook-u u detyrua ta lëshojë postin e tij dhe të ikë nga Kosova. U kthye prapë, si këshilltar i Ramush Haradinajt. Tash pesha e vetme politike e Schook-ut është të qenit amerikan, por s’u hyn dot në punë kompanive të huaja sepse është në “opozitë”. Si qeveria e AAK-së edhe kjo e PDK-së interesat e ndërthurura personale me përfaqësues ndërkombtarë i kanë prezantuar si interesa kombëtare të vendeve përkatëse, si “miqësi të përhershme”. Për kryeministrin Thaçi interesi i tij është interesi i Kosovës, por jo anasjelltas. Nuk mendoj se aleanca e Kosovës me ShBA-të shprehet nëpërmjet Hashim Thaçit apo Steven Schook-ut. Megjithatë, korrespondenti i mediumit publik nga Nju Jorku pa u thirrur në asnjë burim na garanton se “Kosova C” është interes amerikan. Apo filozofi rrafshues që relativizon deri në atrofi mendore na thotë se Hashim Thaçi është “seleksionim negativ” por duhet ta pranojmë sepse kapitali nuk lejon favorizim të interesit publik përpara atij privat. Kështu, rruga drejt shpronësimit dhe shitjes së Kosovës copa-copa në emër të interesit kombëtar është e hapur dhe e legjitimuar.




































