Kosnett takon edhe Haradinajn, ky i fundit i kërkon që SHBA-të mos ta barazojnë Serbinë me Kosovën

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett ka vazhduar takimet me liderët politik. Në vazhdën e këtyre takimeve, Kosnett ka shkuar sot në zyrën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj tregon se i ka thënë ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet ta barazojnë Serbinë me Kosovën.
"Përderisa Kosova stoikisht qëndron prapa SHBA-ve në të gjitha sfidat globale, Serbia vazhdon që të jetë sateliti dhe arma kryesore e Rusisë në Evropë", ka shkruar Haradinaj.
Postimi i Haradinajt:Prita në takim Ambasadorin e SHBA-ve Z. Philip Kosnett ku diskutuam për vizitën time ne SHBA dhe takimet atje. Ambasadorit Kosnett i thash se është i mirëseardhur dhe i nevojshëm aktivizimi i SHBA-ve në dialog. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të barazojnë Kosovën me Serbinë si palë sepse orientimet tona në politikë të jashtme kanë kahje të kundërta. Përderisa Kosova stoikisht qëndron prapa SHBA-ve në të gjitha sfidat globale, Serbia vazhdon që të jetë sateliti dhe arma kryesore e Rusisë në Evropë. I paraqita Ambasadorit Kosnett nevojën për marrëveshjen finale që rezulton në njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe kjo duhet të përmbyllet sa më shpejtë. /Telegrafi/




















































