Në përgjithësi, krimi i organizuar konsiderohet të jetë njëri ndër fenomenet me anë të së cilës kërcënohet ekuilibri i shoqërisë si në aspektin ekonomik, social e politik. Në vendin tonë, ndër format më të shprehura të krimit të organizuar janë: kontrabandimi me narkotikë, trafikimi me njerëz, shpërlaja e parasë, keqpërdorimi i detyrës zyrtare – respektivisht korrupsioni zyrtar etj.

Korrupsioni si formë e krimit të organizuar paraqet njërën ndër dukurit më të rrezikshme që atakon drejtpërdrejtë shoqërinë. Korrupsioni shfaqet në të gjithë botën, mirëpo në vendet me një traditë dhe sistem demokratik korrupsioni vlerësohet të jetë i kontrolluar për dallim që në vendet në tranzicion (siç është vendi ynë) korrupsioni arrin në përmasa shqetësuese.

Historikisht, termi “Korrupsion” është përdorur shumë herët, ndërsa sa i përket etimologjisë së fjalës korrupsion origjinën e ka nga latinishtja dhe rrjedhë nga fjala “corrumpere” që është asociim i fjalëve prish, asgjësoj, heq, largoj dikën nga rruga e drejtë, shpie në rrugë të shtrembët etj.

Korrupsioni për nga natyra është shumëdimensional, mirëpo më i përhapuri kohëve të fundit është korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare. Fenomeni i keqpërdorimit të detyrës zyrtare e posaçërisht korrupsioni paraqet një kërcënim serioz për shoqërinë. Sjelljet e kundërligjshme të personave të autorizuar nga institucionet e ndryshme ndikojnë drejtpërdrejtë në humbjen e besimit të qytetarit në aparatin shtetëror. Format më të përhapura të korrupsionit zyrtare janë: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, përvetësimi në detyrë, mashtrimi në detyrë, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, zbulimi i fshehtësisë zyrtare, mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare etj.

Agjencia Kundër Korrupsionit vetëm gjatë vitit 2018 ka pranuar 251 raste për veprime korruptive të cilat më pastaj janë përcjellë për shqyrtim të mëtutjeshëm në organet përgjegjëse. Po i njëjti institucion gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2019 ka proceduar në Prokurori rreth 50 raste të dyshuar për korrupsion. Në anën tjetër, sipas Raportit vjetor të Policisë së Kosovës për vitin 2018, në fushën e luftimit kundër krimeve ekonomike, korrupsionit dhe pasurisë janë hetuar 533 raste, janë paraqitur 379 kallëzime penale dhe janë arrestuar 86 persona të dyshuar.

Sipas raportit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar-mars të vitit 2018 në prokuroritë e Kosovës janë raportuar për korrupsion 70 kallëzime penale me gjithsej 105 persona, përveç këtyre ky institucion nga periudha e kaluar ka trashëguar edhe 267 kallëzime penale me gjithsej 656 persona.

Fatkeqësisht, lidhur me vendimet e gjykatave përkitazi me aktet akuzuese të prokurorëve gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 kanë marr vendime vetëm për 25 raste, ku pesë personave u është hedhur aktakuza para shqyrtimit gjyqësor, 14 janë shpallur fajtor, pesë janë liruar nga akuza dhe njërit prej tyre i është refuzuar aktakuza.

Edhe përkundër inicimit të rasteve nga ana e Agjencionit Kundër Korrupsion, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, shihet qartë se gjykatat nuk po ndërmarrin hapa sa duhet në shqyrtimin e lëndëve me natyrë korrupsioni. Ky mos fleksibilitet përveç që e dëmton drejtpërdrejtë interesin dhe besimin e qytetarit, ai njëherë i mundëson që lënda të merr rrugën drejtë parashkrimit.

Korrupsioni zyrtar respektivisht vepra penale kundër detyrës zyrtare reflekton cenimin për të realizuar të drejtat e veta qytetari në njërën anën dhe kontribuon në përfitimet personale të personave zyrtarë në anën tjetër. Veprat penale që kanë për bazë korrupsionin. përveçqë e dëmtojnë qytetarin ato shkaktojnë pasoja të rënda edhe për arkën shtetërore dhe si rezultat i kësaj shkaktohet pakënaqësi dhe krizë financiare në nivel të vendit.

Politika ndëshkimore ndaj korrupsionit paraqet një tjetër fazë dhe betejë shumë të vështirë, pasi që në njërën anë duhet të përfshijë vetëdijesimin e shoqërisë në edukimin moral, respektimin e etikës ligjore dhe profesionale e në anën tjetër gjithmonë kemi persona të cilat janë të gatshëm të kryejnë vepra korruptive sa herë që t’ju jepet mundësia. Pra, politika ndëshkimore ndaj korrupsionit në vete paraqet një botë sa komplekse aq edhe shqetësuese. Politika ndëshkimore ndaj korrupsionit mund të ketë sukses vetëm me një përkushtimi serioz nga ana e organeve të rendit dhe me përkrahjen e qytetarëve. Gjykatat si njëra prej hallkave më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë duhet që lëndët me natyrë korrupsioni të trajtohen me prioritet. Sa më të rënda të jenë sanksionet penale për delikuentet e këtyre veprave penale aq më e lehtë bëhet rruga për luftimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Vetëm me një bashkëpunim të ngushtë në mes të trekëndëshit Polici-Prokurori-Gjykata në njërën anë, ndihma e qytetarëve dhe ndikimi i mediave në anën tjetër, mund të flasim për një luftim dhe parandalim të mirëfilltë të korrupsionit zyrtar.

Luftimi dhe parandalimi i korrupsionit paraqet njërën ndër format e veçanta në rrugën drejtë vënies së binarëve të drejtësisë në shoqëri. Kushtet e rënda ekonomike, mos funksionimi i sistemit të drejtësisë dhe mungesa e dëshirës për t’i forcuar dhe funksionuar këto sisteme kanë kontribuar në rritjen e fenomenit të quajtur korrupsion. Në qoftë se korrupsioni nuk kontrollohet në fillesat e saj, dhe kalon në metastazë, atëherë ai avancohet dhe lufta ndaj tij ashpërsohet dhe e bënë pothuajse të pamundur fitoren dhe në këtë rast e mposhtë shtetin duke e shndërruar e gjithë aparatin shtetëror në një “sistem korruptiv”.