LAJMI I FUNDIT:

Korrespondenca Sartre-Beauvoir: Në këtë botë nuk kam njeri veç teje

Korrespondenca Sartre-Beauvoir: Në këtë botë nuk kam njeri veç teje

Luan Rama

Kafeneja “Café de Flore” në Saint-Germain-des-Près është një kafene mitike, çka e kemi parë prej disa vitesh në ekranin francez në filmin Les amants du Café de Flore, (Të dashuruarit e kafenesë Flore), kushtuar Sartre-it e Beauvoir-it. Gjatë luftës dhe pas luftës, aty mblidheshin Sartre, Beauvoir, Albert Camus dhe shumë intelektualë në zë të asaj kohe. Një miqësi e ngushtë u lidh mes Sartre dhe Camus-ë, i cili para disa kohësh kishte ardhur nga Algjeria dhe kishte zbarkuarnë Paris, ku punonte në shtëpinë botuese “Gallimard”.

Camus po bëhej ndërkohë një nga emrat më të dëgjuar në fushën letrare me botimin e veprës së tij L’Etranger, (I huaji), të cilën Sartre e përshëndeti nxehtësisht me një kritikë të gjatë. “Camus ishte i bukur, – kujtonte për ato vite Simone de Beauvoir, – ai dinte të vallzonte dhe t’i joshte gratë.” Në atë kohë Sartre dhe Beauvoir ishin dy figura të mëdha të inteligjencës franceze. Botimi i veprës së tij Ekzistencializmi është humanizëm,pas dramave dhe esesë filozofike Qënia dhe Hiçi, e kishin kthyer atë në një figurë madhore që i kishte kapërcyerme kohë kufijtë e Francës, edhe pse Partia Komuniste franceze përmes gazetësL’Humanité, e kritikonte atë se “kishte rënë në prehërin e kapitalizmit”.

Në vitin 1954, Sartre e Beauvoir shkuan sëbashku në Moskë dhe u pritën nga Hrushovi. Në kthim Sartre botoi disa reportazhe pozitive mbi Bashkimi Sovjetik, por më pas, kur ndodhi kryengritja e Budapestit kundër ushtrisë sovjetike, ndryshe nga Partia Komuniste franceze e cila e konsideroi sikundër-revolucion në shërbim të fashizmit, Sartre dhe Beauvoir e denoncuan atë publikisht dhe me forcë. Madje ata kërkuan “demilitarizimin e kulturës nëLindje”, duke kritikuar ashpër metodën staliniste të ndalimit të veprave të Kafkës dhe autorëve disidentë, duke u bërë jehonë letërsisë së Solzhenicinit, Josef Brodskit, Jevtushenkos apo Bukovskit, të cilët u bënë të njohur përmes faqeve të revistës Kohët Moderne. Pikërisht në atë kohë Sartre shkroi esenë Fantazma e Stalinit. Kjo dhe veçanërisht protesta e Pragës në vitin 1968, ishte kthesa vendimtare dhe fundi i iluzioneve të Sartre-it, ku ai shkruan për “degradimin e pamëshirshëm dhe të vazhdueshëmtë socializmit sovjetik”. Sidoqoftë ai mbeti gjithnjë anti-borgjez,anti-kapitalist dhe mbi të gjitha anti-militarist.

Ishin po Sartre dhe Beauvoir që u vunë në krye të intelektualëve kundër luftës së Francës në Algjeri dhe pro pavarësisë së Algjerisë përmes Manifestit të 121-ve. Kur Sartre deklaroi hapur gjatë një proçesi se edhe ai do të fshihte dhe mbështeste luftëtarë të ushtrisë se FLN të algjerianëve për çlirim, shteti francez deshi ta dënonte, por gjenerali De Gaulle ndërhyri me shprehjen e famshme të tij se “Volteri nuk mund të futet në burg”. Ndërkohë banda terroriste e OAS-it vërshonte në rrugët e Parisit me thirrjet: “Të vritet Jean Paul Sartre!” Disa bomba shpërthyen në pragun e shtëpisë së tij.

Më vonë, në kohën kur Brezhnjevi pritej në pallatin presidencial nga Giscard d’Estaing, Sartre dhe Beauvoir zhvillonin një takim me disidentë të mbledhur nga Lindja, ku qindra gazetarë të botës i bënin jehonë një takimi të tillë epokal. Pikërisht në këtë kohë, Sartre hodhi parrullën “Klasa puntore sovjetike duhet të marrë pushtetin që i kanë vjedhur”. Në një intervistë të tij në revistën Nouvel Observateur, duke iu kthyer angazhimit të tij përgjatë një gjysmë shekulli, ai do të bënte “mea-culpa”-n e tij: “Më 1954 dhe gjatë katër viteve unë isha i afërt me komunistët, por idetë e mia nuk ishin të tyret dhe këtë ata e dinin. Padyshim thoja gjëra pozitive për Bashkimin Sovjetik, të cilat nuk i ndjeja. Po, kam gënyer! E bëja këtë sepse kur ftohesh nga një vend, nuk bën ta shash atë. Për më tepër nuk e dija që pas vdekjes së Stalinit, gulagët do të vazhdonin ende.”

Sigurisht që ngjarjet më tronditëse në jetën e çiftit Sartre- Beauvoir ishin ato të vitit 68’ dhe epoka maoiste, ku ai u kërkonte studentëve në Sorbonne e gjatë manifestimeve në rrugët e Parisit që ata të bashkoheshin dhe tu bënin luftë “pleqve që i qeverisnin”, duke u bashkuar sa të mundeshin me puntorët. Aq shumë shpresoi Sartre në ndryshimet ideologjike, saqë ata ranë në prehërin e maoizmit, duke shpërndarë në rrugë gazetën La Cause du Peuple, (Kauza e Popullit), të cilën Sartre drejtonte. Kur në vitin 1964, Sartre-it iu dha çmimi Nobel, ai e refuzoi atë, sepse mendoi se kjo mund të shfrytëzohej politikisht kundër tij,meqë deri atëherë çmimi Nobel nuk i ishte afruar asnjë disidenti nga Lindja evropiane dhe asnjë shkrimtari me ide komuniste. Pranimi i këtij çmimi, siç mendonte ai, mund ta hidhte atë në krahun e konservatorëve të djathtë.

LETRA KASTORIT

Korrespondenca e Sartre-t dhe e Beauvoir -it përbën sot një nga korrespondencat më të pasura të një çifti letrarësh e intelektualësh, korrespondencë kjo që kap një periudhë pothuaj gjysmë shekullore, nga viti 1926 e gjer në vitin 1963, vit kur zëmra e Sartre-it pushoi së rrahuri. Letrat e tyre nuk u përngjajnë letrave të dashurisë të Apollinaire, Eluard apo Aragon. Ato nuk janë erotike, nuk shkruhet për buzë të etura, gjinj, seks, dëshirë. Nuk ka poezi të ndërthurrura në to. Kjo korrespondencë i ngjan më tepër një lloj rrëfimi dy planësh, një tregimi jetësor, ku ngjarje të ndryshme, gëzime dhe dhimbje, ata kërkojnë t’i ndajnë me njëri tjetrin. Por mbi të gjitha, në to qëndronte mendimi, filozofia, gjykimi për libra dhe autorë, për qënien dhe hiçin, për Kiekergard, Kant, Heidegger apo Kafkën, për esetë dhe romanet që po shkruanin, për dramat që do të shkruanin, për titujt që mendonin tu vinin veprave të tyre. E megjithatë, edhe Sartre e thoshte fjalën e ëmbël, ashtu siçe ndjente, pa e poetizuar. Në letrat e tij ai e quante shpesh atë ”lulja ime e ëmbël”… I shkruante se “në këtë botë nuk kam njeri tjetër veç teje”, se “ju dua me të gjitha forcat”… Në fillim, ajo ishte Simone, pastaj Kastor, siç do të mbetej dhe pseudonimi i saj. “Ti nuk e di se ç’gëzim më sjellin letrat e tua”, i shkruante ai kur ishte larg saj, në ushtri, para Luftës së Dytë Botërore, – ato m’a transformojnë botën”.“Ti je forca dhe lumturia ime”…

”Kam dëshirë të të shoh dhe të flë në krahët e tua”… Por në letrat e tyre, më vonë do të shpalosej një jetë komplekse çka e bënte të veçantë këtë çift në peizazhin e mendimit letrar e filozofik të shekullit XX. Aty ishin dhe zemërimet e heshtura, xhelozitë, dhimbjet dhe hapësirat ku mëpas rigjenin njëri-tjetrin, pasi ata gjithnjë, pas çdo historie kalimtare apo të fortë e tronditëse, do ta rigjenin njëri-tjetrin.Ishte Simone de Beauvoir që pas vdekjes së Sartre-it u kujdes për botimin e letrave të tij. Duke folur për historitë e tyre, veçanërisht marrëdhëniet intime, dashuritë kalimtare të tij, ajo shkruante se: “Sartre kishte një “ego” ekstreme dhe nuk dinte t’i thoshte “jo” një personi. Nëse një femër i kërkonte diçka, ai i premtonte dhe hënën. Pastaj vinte tek unë dhe më thoshte: Ëanda, (ose një tjetër), më tha se…”

Por Simone e adhuronte këtë njeri. “Unë isha një grua inteligjente, -do të thoshte ajo, – ndërsa Sartre ishte një gjeni. Ai ishte një tip që nuk fliste shumë…”

Kur filloi lufta, Sartre vendosi të mbante një ditar, edhe pse ai nuk i donte ditaret. Shkroi rreth 15 fletore, nga të cilat mbetën vetëm 5, duke përbërë një vepër më vete letrare, e cila do të quhej Carnets de drôle de guerre, (Fletorete një lufte të çuditshme)

Dashuritë e rastësishme apo “les amours contigentes”, ishte pakti që kishte lidhur Sartre dhe Simone që në fillimet e dashurisë së tyre. Ky ishte një pakt që rinovohej çdo dy vjet dhe që qëndronte në faktin se pavarësisht nga dashuria e përkushtimi ndaj njëri tjetrit, ata mund të kishin flirte me të tjerë, por me një kusht: që asnjëherë nuk do ta gënjenin apo mashtronin njëri-tjetrin.

Dhe ky kusht do të mbahej. Ja pse në jetën e tyre, ku ata nuk mund tëjetonin pa njëri tjetrin, u pleksën shumë histori flirtesh e dashurish tëvogla, herë dhe të mëdha, dashuri të Simone-s me Jacques-Laurent Bost, me shkrimtarin amerikan Nelson Algren dhe Claude Lanzmann, (të tjerët si piktori spanjoll Fernando Gerassi, Arthur Koestler apo René Maheu, ishin kalimtarë).Ndërsa dashuritë e Sartre-it, përgjithësisht ishin me mikeshat e Simone-s, siOlga, Ëanda, dhe rrallë ndonjëherë, kur ai i njihte vetë, siç ishte rasti i amerikanes Dolores Vanetti, (të njohur gjatë udhëtimit të parë të tij nëAmerikë), e cila u çmënd nga dashuria për Sartre-in dhe besonte se do të martohej me të. Por kjo martesë nuk do të realizohej, pasi pakti do të ishte gjithnjë në fuqi edhe në stuhitë më pasionante e më të mëdha.

Ata kishin vendosur t’i thonin të vërtetën njëri-tjetrit. Gjatë një udhëtimi në Savoie, kur Simone kishte shkuar bashkë me një mikun dhe nxënësin e Sartrit, më pas,ajo do t’i shkruante atij: “Para disa ditësh më ka ndodhur diçka tepër e pëlqyeshme: bëra dashuri me Botsi-n. Kaluam ditë idilike dhe netë pasionante.”

Pas vdekjes së Sartre-it në vitin 1980, tre vjet më vonë, Beauvoir botoi letrat që Sartre i kishte dërguar gjatë gjithë jetës së tyre të përbashkët, të titulluar Lettres à Castor,(Letra Kastorit), siç ishte pseudonimi i Simone-s gjatë luftës, por ku një pjesë të mirë të letrave ajo nuk i botoi. Për herë të parë lexuesi i gjërë mësoi se ç’kishte ndodhur në të vërtetë në jetën e këtij çifti mitik dhe se deri ku shkonte kompliciteti mes tyre. Ata ia tregonin gjithnjë dashuritë e tyre njëri-tjetrit dhe ajo preferonte t’i dinte historitë e tij, sepse kështu i kontrollonte më mirë ato.

Madje ndodhte, veçanërisht gjatë dy dashurive të tyre amerikane, (ajo me shkrimtarin Nelson Algren dhe Sartre me Dolores Vanetti), që ata të rregullonin axhendën me njëri tjetrin që të mos përplaseshin mes tyre. Algren ishte një dashuri e fortë e Simone-s dhe ajo u nda me dhimbje me të. Ai ishte “krokodilii ëmbël”, siç i shkruante ajo në letrat e saj dhe ajo ishte “bretkoca e tij e çmëndur”. Kur vdiq Beauvoir më 1986, katër vjet më vonë u botuan nga shtëpi abotuese “Gallimard”, Letra Sartre-it, dhe lexuesi gjeti çelësin se si rezistoi ky çift nga gjithë këto histori dhe sesi bënte Simone që të ishte gjithnjë primare në dashuritë e Sartre-it.

Për herë të parë Sartre kishte shkuar në shtrat me një grua gati dy herë më të madhe se ai në moshë. Atëherë ai ishte 18 vjeçar. Por gjithnjë ai kishte kompleksin se ishte një djalë i shëmtuar dhe si për të luftuar këtë, ai zgjidhte gjithnjë vajza të bukura, të cilave ua merrte mëndjen me kulturën dhe tipin e tij paqsor dhe libertin. Megjithatë, Sartre ishte i pari mashkull me të cilin Simone do të puthej dhe do të shkonte në shtrat. Sartre ishte më tepër shpirtëror se sa fizik.

Në letrat që Simone i shkruante të dashurit të saj, shkrimtarit Algren, duke i folur për Sartre-in, ajo i pohonte se “Sartre nuk është i pasionuar pas seksualitetit. Ja pse gradualisht ne e kuptuam se ishte e panevojshme të flinim bashkë në të njëjtin shtrat.” Por dhe Sartre kishte shkruar për marrëdhëniet e seksualitetin e tij. “Marrëdhëniet seksuale me femrat në një moment të dhënë ishin të detyrueshme, por unë nuk u kushtoja shumë rëndësi. Bëja seks pa ndonjë kënaqësi të madhe. Isha më shumë një masturbues femrash…”

Megjithatë erdhi njëkohë kur ata do të festonin përvjetorin e paktit të tyre, siç ndodhte gjithnjë për ta rinovuar atë pakt. Atë ditë tetori, Sartre i kishte thënë: “Castor, ne nuk kemi më nevojë për këto pakte provizore, sepse askush tjetër nuk mund të na kuptojë ashtu siç ne të dy ekuptojmë njëri tjetrin”.

“SEKSI I DYTË”

Më 1946, e shtyrë nga Sartre, “gjeniu i saj”,siç e quante ajo, Beauvoir botoi esenë madhore të jetës së saj, Seksi i dytë. Madje siç do të pohonte vetë ajo, “ishte bota e Sartre-it me lidhjet e tij femërore që e kishte frymëzuar për librin Seksi i dytë. Në fakt, botimi i esesë së saj ishte paraprirë nga një artikull të gjatë që ajo e kishte botuar në revistën Kohët Moderne,(Les Temps modernes) dhe që trajtonte çështje të seksualitetit femëror, të sensibilitetit vaginal, spazmat e klitorisit, orgazmën mashkullore dhe të fshehta të tjera që lidhen me ekstazën. Aq zhurmë bëri ky artikull, sa puritanëve iu ngritën leshrat përpjetë dhe François Mauriac do të shkruante ndër të tjera në Le Figaro: “Me këtë artikull ne konstatojmë kufijtë e poshtërsisë”. Madje në një bisedë me një nga bashkëpuntorët e revistës ai kishte thënë: “Mësova gjithçka mbi vaginën e patrones tuaj”.

Eseja filozofike Seksi i dytë ishte një nga ato vepra që la gjurmë të mëdha në gjysmën e dytë të shekullit XX. Idetë e saj u përqafuan fuqishëm, veçanërisht pas lëvizjeve të 68’ dhe lëvizjeve feministe të viteve 70’- 80’ që shpërthyen kudo në botë,në Evropë, Amerikë e gjetkë, deri në të ashtuquajturën “revolucioni seksual”. “Gratë në atë kohë duhej të bënin revolucionin e tyre, – pohonte Beauvoir në shtypin e kohës. – Ato duhej të bënin diçka në mënyrë personale, direkte dhe të menjëherëshme. Ato nuk mund të prisnin që burrat të ndryshonin shoqërinë për to, pasi kjo s’do të ndodhte kurrë, veçse nëse ato do ta bënin vetë këtë revolucion.”

Në Francë, një ndërgjegje e re feministe kristalizohej nën ndikimin e fuqishëm të Beauvoir, e cila synonte çlirimin dhe emancipimin e gruas, duke kundërshtuar, siç theksonte ajo në esenë e saj “sovranitetin mashkullor të burrit ndaj gruas”. Ajo ishte si të thuash një “pasionaria” e shekullit të XX. Gra feministe që kishin luftuar për lirinë dhe barazinë e gruas kishte pasur edhe para e pas George Sand, apo e shkrimtares tjetër të famshme franceze, Colette, por tashmë bëhej fjalë për një filozofi dhe program politik. Ishte e vërtetë se iluministë të mëdhenj siç ishte Diderot, etj, kishin pohuar fort se “gruaja si dhe burri ishte një qënie e njëllojtë njerëzore”, se “gruaja duhej të ishte e barabartë me burrin”, se“ajo duhej të kishte të njëjtat të drejta politike, si dhe burri”.

Por ajokërkoi më thellë: ajo kërkoi të shpjegonte se ç’është feminiteti i gruas, se gruaja nuk mund të reduktohej vetëm në funksionin “uterus” apo rigjenerimin e jetësnjerëzore, duke tentuar njëkohësisht të zbulonte se ç’kishte ndodhur pas matriarkatit, kur burri kishte marrë pushtetin dhe pse kishte ndodhur kjo.

SARTRE-BEAUVOIR, NJË VARR I PËRBASHKËT NË MONTPARNASSE

Ishte 19 marsi i vitit 1980 kur Beauvoir shkoi në apartamentin e Sartre-it në bulevardin Edgar Quinet, jo larg apartamentit të saj. Ajo e gjeti atë ulur në shtrat, duke marrë frymë me vështirësi. Si gjithnjë me errësirën në sy, meqë vitet e fundit ai nuk shikonte më, çka e kishte penguar të shkruante vëllimin e katërt të kryeveprës së tij madhore Flaubert. Ajo donte të telefononte për të kërkuar një ambulancë, por linja ishte ndërprerë sepse telefoni nuk ishte paguar. Duket çudi, por Sartre ishte pothuaji varfër dhe kjo gjë e mundonte, pasi e dinte që nëse vdiste, do të ishin miqtë e tij që do duhej të paguanin për varrimin dhe varrin e tij. “Ai kishte tmerr që miqtë do të paguanin për varrimin e tij. E kuptoi se do të vdiste”, – kujtonte Beauvoir në Kujtimet e saj.

Pas një jave në spital, ai donte të dilte dhe i ftoi miqtë për një ëhisky në apartamentin e tij, por Sartre nuk do të kthehej më nga spitali Broussais. Pikërisht një ditë para se të vdiste nga çiroza, atje në dhomën e spitalit, me sytë mbyllur, (pasi Sartre në atë kohë ishte pothuaj i verbër), ai mori dorën e saj në të tijën dhe i pëshpëriti: “Të dua shumë Castor-i im ivogël!” Beauvoir i puthi dorën dhe mbështeti faqen e saj në të tijën. Ai ra të flinte. Të nesërmen kur ajo mori në telefon, infermierja i tha se ai nuk ishte zgjuar që kur kishte ikur ajo, dhe pas pak kishte vdekur.

Atë mbrëmje, miqtë më të afërt të Simone-s dhe Sartre-it u mblodhën rreth Sartre-it të vdekur. Dikush kërkoi të pinin ëhisky dhe filluan të kujtonin historitë e tij, të qeshnin gjersa një moment, Simone u kërkoi të largoheshin dhe ajo u shtri në shtrat pranë tij e mbylli sytë. Donte të ishte vetëm me të, si në gjithë këtë kohë që kishin jetuar së bashku. Kur infermierja e kishte parë ashtu, kishte dashur ta largonte me forcë sepse këmbët e Sartre-it ishin gangrenizuar dhe mund të infektohej, por ajo nuk pranoi dhe vazhdoi të qëndronte shtrirë me të, e droguar me ëhisky dhe luminal që të mund të qëndronte në këmbë. Ajo ishte gati të puthte dhe kolerën veç të ishte me të.

MË SË FUNDI, NATA E VONË E GJETI NË SHTËPINË E TYRE NË RUE SCHLOECHER

Të nesërmen varrimi i Sartre-it ishte madhështor, ku shumë gazetarë do t’i referoheshin varrimit të shkrimtarit Victor Hugo gati një shekull më parë. Por ajo nuk mund të qëndronte dot në këmbë. Atë ditë të varrimit të Sartrit atë e tërhiqnin për krahu dhe e mbanin që të mos rrëzohej. Po, ajo e vuajti shumë ikjen e tij. “Vdekja më së fundi na ndau. Dhe vdekja ime nuk do të na bashkojë. Kështu qënka: megjithatë ishte bukur që jetët tona ngjizën së bashku” – do të shkruante ajo në rreshtat e fundit të librit të saj Ceremonia e lamtumirës.

Gjashtë vjet më vonë, në të njëjtën ditë të 14 prillit, do të vdiste dhe Beauvoir. Ajo vdiq pak hapa nga varrezat ku prehej Sartre. E veshën me robdeshambrin e saj të kuq dhe në kokë i vunë rripin violet që mbante gjithnjë.Në gishtin e saj, miqtë e afërt dalluan unazën e famshme që Nelson Algren i kishte dhënë para se ai të kthehej përfundimisht në Amerikë. Por Beauvoir e kishte bërë zgjedhjen e saj: dashuria e saj më e madhe quhej Sartre.