LAJMI I FUNDIT:

Kontradikta mes PSP-së dhe Peshevskit rreth paraburgimit (Video)

Kontradikta mes PSP-së dhe Peshevskit rreth paraburgimit (Video)

Këshilli penal pranë Gjykatës së Apelit i shqyrtoi ankesat e Prokurorisë Publike Speciale për mos-shqiptimin e paraburgimit ndaj ish zëvendëskryeministrit Vlladimir Peshevskit, por edhe ankesën e këtij të fundit për shqiptimin e masave të kujdesit ndaj tij. PPS konsideron se vepra penale që i ngarkohet Peshevskit dhe dëmtimi i buxhetit për 155 milionë euro, është i mjaftueshëm që ndaj tij të shqiptohet paraburgim. Prokurori i PPS Gavril Bubevski pohoi se Peshevki ka ndikuar në dëshmitarin e tij duke e kontaktuar dhe shtoi se ai ka poseduar mbi 20 xhirollogari bankare, ka pasur firmë jashtë shtetit, për ç‘arsy ai mund të arratiset nga vendi.

“Meqë i akuzuari shpesh udhëton jashtë vendit, ekziston mundësia që ai të arratiset nga vendi. Sa i takon mbrojtjes së drejtësisë dhe të buxhetit nga dëmtimi i paligjshëm, konsideruam se në këtë moment atij duhet t’i shqiptohet masa e paraburgimit”, tha Gavril Bubevski, Prokuror në PPS, njofton Tv21.


Avokatja e Peshevskit tha se pretendimet e PPS-së janë për ta impresionuar gjykatën, ndërsa paratë që i posedon në bankë, sipas avokates, janë të pamjaftueshme që ai të arratiset jashtë vendit.

Ma merni pasaportën dhe m’i preni këmbët – kështu u shpreh Peshevski në mbrojtjen e tij duke shtuar se të ardhurat e vetme i ka pasur nga rroga që e ka marrë si zëvendëskryeministër dhe nga apanazhi që e ka pritur nga Kuvendi.

Para Gjykatës së Apelit u gjend edhe ankesa e ish drejtorit të Agjencisë për rrugë shtetërore Lubço Georgievski i cili i konteston masat e shqiptuar të kujdesit. Avokati i tij Stevan Pavlleski pohon se në vendimin e këshillit penal mungon arsyetimi, duke shtuar se Georgievski ka udhëtuar jashtë shtetit për arsye shëndetësore.

“Në vendimin e gjykatës së shkallës së parë nuk ka arsye të qarta. Është vendosur në mënyrë burokratike. Unë pres që këshilli penal të ketë mirëkuptim sepse bëhej fjalë për përkeqësim të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit dhe për këtë arsye, ai shpesh udhëton jashtë vendit”, tha avokati Pavlevski.

Përderisa në gjykatën e apelit po shqutohet aneksa e PPS dhe e të akuzuarve në rastin “Trajektorja”, OBRM-PDUKM kërkoi që gjykata të vendosë t’ua kthejë pasaportat personave të përfshirë në rastin e Katica Janevës.

“I bëjmë thirrje gjykatës të mos hyjë në skenarin e dikujt dhe të mos jetë instrument i dikujt për të zbatuar një skenar të caktuar i frymëzuar nga ata që i frikësohen Nikolla Gruevskit dhe mbështetjes që e gëzon OBRM-PDUKM në popull”, tha Zoran Ilioski, OBRM-PDUKM.

Vlladimir Peshevski dhe Lubço Georgievski akuzohne në rastin “Trajektorja”. Ata ngarkohen për keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimeve zyrtare.