Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka reaguar rreth lajmit për njohjen e Kosovës nga shteti i Xhamajkës.

Konjufca përmes një postimi në Fcebook, ka shkruar se informatën për njohje nga Xhamajka e ka marrë nga ambasadorja Vlora Çitaku.


Ai ka thënë se shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit.

Ndryshe dje presidenti i vendit Hashim Thaçi përmes një postimi në Twitter njoftoi se shteti i Xhamajkës ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Mirëpo një lajm i tillë u demantua sot nga ministrja e Punëve të Jashtme të Xhamajkës, Kamina Johnson-Smith, e cila tha se deri më tash shteti i Xhamajkës nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.

Postimi i plotë i Konjufcës:Mbrëmë, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka. Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatë e krijuar. Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit. /Telegrafi/