LAJMI I FUNDIT:

Konfirmohet pjesëmarrja e Trumpit në Forumin Ekonomik Botëror

Konfirmohet pjesëmarrja e Trumpit në Forumin Ekonomik Botëror

Shtëpia e Bardhë konfirmoi pjesëmarrjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Forumin Ekonomik Botëror, që do të mbahet më 22-25 janar 2019 në Davos të Zvicrës.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Elizabeth Huckabee Sanders, njoftoi se Trump do të marrë pjesë për herë të dytë në Forum.


Ajo bëri me dije gjithashtu se lideri amerikan do të shoqërohet nga një delegacion me pjesëmarrje të gjerë dhe nivel të lartë, ku spikasin emra si sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, sekretari i Tregtisë, Ëilbur Ross, sekretari i Punës, Alexander Acosta, sekretarja e Transportit, Elaine Chao, sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Kirstjen Nielsen, përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Robert Lighthizer, si dhe këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner e Ivanka Trump, përcjell Telegrafi.

Disa presidentë amerikanë nuk kanë preferuar të shkojnë në Forumin Ekonomik Botëror. Bill Clinton ka qenë i fundmi prej tyre që ka marrë pjesë përpara Trumpit në samitin e Davosit, në vitin 2000.

Mes viteve 2001-2009, presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush, nuk ka marrë pjesë në këtë takim vjetor të rëndësishëm.

Pasardhësi i tij në vitet 2009-2017, Barack Obama, nuk ka shkuar gjithashtu personalisht në Davos, megjithatë ka dërguar atje çdo vit nga një delegacion.

Në Forumin Ekonomik Botëror, i cili mbledh bashkë çdo vit liderët, organizatat e shoqërisë civile, drejtuesit e kompanive, akademikët dhe gazetarët e dhjetëra vendeve të botës, zhvillimet dhe problemet që kanë të bëjnë me ekonominë globale trajtohen në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar. /Telegrafi/