LAJMI I FUNDIT:

Koncepti “i harruar” nga viti 1991 i Audi Quattro Spyder

Koncepti “i harruar” nga viti 1991 i Audi Quattro Spyder

Shumica e koncepteve të veturave ekspozohen pak para opinionit, e nëse nuk fillon prodhimi serik i tyre, shpejt harrohen.

Një koncept interesant nga Audi shumëkush ka pasur dëshirë ta shoh në rrugë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, transmeton Telegrafi.


Fjala është për konceptin Audi Quattro Spyder të prezantuar në panairin e veturave në Frankfurt gjatë vitit 1991, në kohën kur përpjekjet e kompanisë gjermane kishin për qëllim të futen në kategorinë e veturave luksoze që asokohe këtë epitet e mbante Mercedes-Benz dhe BMW, por kah mesi i viteve të 90-ta Audi filloi periudhën moderne të konceptit TT Freeman Thomas.

Shumë besojnë se do të ishte një veturë e përkryer sportive të viteve të 90-ta, pasi përmbante karakteristikat më të mirë të dizajnit që kishte kompania nga Ingolstadt.

Mjafton të shikohen dritat që paraqesin një avancim në dizajnin e dritave të modeleve 80 dhe 100. Koncepti kishte një kulm prej xhami që mund të hiqej, e në lëvizje e vente motori 2.8 litërsh V6 që prodhonte 174 kuaj-fuqi.

Peshonte 1.100 kilogramë, kurse shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrinte për vetëm 6 sekonda. Shpejtësia maksimale ishte 214 kilometra në orë, dhe kishte një ndërrues manual me pesë shpejtësi. Vetura bënte tërheqje me të katër rrotat. /Telegrafi/