LAJMI I FUNDIT:

Prizreni në bashkëpunim me IFC/Bankën Botërore realizon reforma administrative

Prizreni në bashkëpunim me IFC/Bankën Botërore realizon reforma administrative

Komuna e Prizrenit së bashku IFC/Bankën Botërore, përmes “Klimës së Investimeve në Kosovë”, projekt i cili financohet nga qeveria zvicerane dhe implementohet nga Drejtoria e Administratës, ka thjeshtuar rreth 2/3 e procedurave administrative, duke mundësuar kursime (para dhe kohë) për bizneset dhe qytetarët për rreth 1.5 milion euro në vit.

Në ceremoninë e përmbylljes së këtyre reformave, që u organizua me praninë e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të ngarkuarës me punë të Ambasadës së Zvicrës, Pauline Menthonnex Gacaferri, drejtorit të IFC-së në Kosovë, Visar Perani, drejtorit të Përgjithshëm të ASHI-së, Kujtim Gashi dhe drejtorit të Administratës, Osman Hajdari u bë lansimi i regjistrit elektronik të procedurave administrative në platformën shtetërore 𝐞-𝐤𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚, i cili jep informacione të detajuara për të gjitha procedurat e lëshuara nga komuna, si tarifat, dokumentacioni i kërkuar, afatet ligjore, etj.


Me këtë rast kryetari Haskuka falënderoi IFC/Bankën Botërore dhe Ambasadën Zvicerane për mbështetjen e ofruar për realizimin e reformave në Komunën e Prizrenit.

Disa nga reformat e zbatuara janë:
• Komuna ka thjeshtuar dokumentet e kërkuara për shumë procedura dhe ka vendosur të mos kërkojë dokumente të caktuara të lëshuara tashmë nga Komuna;
• Komuna ka hequr pagesën e dyfishtë të bizneseve dhe qytetarëve me taksa dhe pagesa komunale (në të njëjtën kohë) për rreth 12 procedura;
• Komuna ka hequr taksën komunale për bizneset që prekin më shumë se 4,300 biznese;
• Komuna ka eliminuar 41 procedura administrative të cilat krijuan barrë të panevojshme për bizneset dhe qytetarët;
• Komuna ka reduktuar tarifat bazuar në parimin e mbulimit të kostos për 42 procedura.