LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Klinës s’ka informatat mbi analizat e ujit të pijes

Komuna e Klinës s’ka informatat mbi analizat e ujit të pijes

Organizata jo-qeveritare KOHA ka kërkuar nga Komuna e Klinës që të ketë qasje në analizat e ujit të pijes, për një pjesë të territorit të kësaj komune.

Në përgjigjen e saj, Komuna e Klinës, gjegjësisht Zyra për Informim, deklaron se këto kërkesa iu janë drejtuar Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe Drejtorisë së Inspektoratit.


Sipas së njëjtës zyre, OJQ KOHA do duhej që këto kërkesa t’i drejtonte tek kompania përgjegjëse për ujë dhe kanalizim, ngase Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit nuk e ka në kompetencën e saj inicimin dhe pranimin e mostrave të ujit.

OJQ KOHA thekson se kërkesat, fillimisht, iu janë adresuar përmes postës elektronike Zyrës për Informim të Komunës, pa specifikuar se cilave drejtori komunale iu kërkoheshin analizat e ujit të pijes. Mirëpo, siç duket, Zyra për Informim ka shmangur nga përgjegjësitë Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente e cila është përgjegjësja kryesore brenda Komunës për cilësinë e ujit të pijes.

“Sipas Statutit të Komunës së Klinës, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente është përgjegjëse për bashkëpunimin me kompanitë shërbyese Komunale të higjienës dhe furnizimit me ujë, mbikëqyr mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues të ujësjellësit, përcjell procedurën e pastrimit të ujërave, e madje edhe cakton çmimin e shërbimeve komunale në bashkëpunim me Kompanitë. Statuti i Komunës, po ashtu, nuk i përjashton nga përgjegjësia edhe Drejtorinë e Urbanizmit dhe Drejtorinë e Inspektoratit meqë të dyja janë përgjegjëse për mbrojtjen e ambientit, i cili tërthorazi ndërlidhet edhe me cilësinë e ujit të pijes në territorin e Komunës, dhe si të tilla këto drejtori do duhej të kishin në posedim këto analiza. OJQ KOHA thotë se Komuna e Klinës nuk ka të publikuar asnjë dokument apo akt zyrtar përmes së cilit qytetarët njoftohen mbi cilësinë e ujit në territorin e Klinës, me përjashtim të analizave të publikuara në maj 2015, të cilat flasin për most rat e marra vetëm pas filtrave të fabrikës së ujit në qytetin e Klinës.

OJQ KOHA thekson se pavarësisht nga kompetencat dhe përgjegjësitë e veçanta, Komunës apo Kompanive Publike, Komuna e Klinës si person juridik dhe përgjegjëse për mbrojtjen e interesit publik, do duhej të ishte në posedim të analizave të ujit të pijes për të gjithë territorin e Komunës së Klinës dhe që të njëjtat t’i bënte të qasshme për publikun duke komunikuar mirë dhe ruajtur shëndetin e qytetarit. Po ashtu, nëse kompetencat janë zero të Komunës, të iniciohet ndryshimi i Statutit të Komunës dhe përgjegjësitë e Drejtorive Komunale, duke i harmonizuar me Ligjet në fuqi.

Ata ritheksojnë se gjendja e furnizimit me ujë të pijes në territorin e Komunës së Klinës është jo e mirë dhe kërkon qasje dhe komunikimin serioz të të gjitha trupave përgjegjëse, duke informuar qytetarin me kohë për cilësinë e ujit. OJQ KOHA kërkon, po ashtu, që bashkëpunim me Kompaninë publike të bëhet plan i investimit dhe shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit në fshatrat e Komunës së Klinës dhe qytetarët të furnizohen me ujë të pijes, siç edhe është premtuar nga Kryetari i Komunës gjatë fushatës elektorale.

OJQ KOHA fton Komunën dhe Kompaninë Publike, që të dalin me të dhëna të sakta dhe periodike për situatën e ujit të pijes nga fabrika e re e ndërtuar, por dhe nga të gjitha burimet e ujit që qytetari i shfrytëzon për pije (edhe pse e lëshuar në funksion fabrika 1.7 milionëshe, qytetari vazhdon të mos e pijë ketë ujë). /Telegrafi/