Komuna e Kamenicës ka njoftuar të gjithë shfrytëzuesit e hapësirave publike komunale në qytetin e Kamenicës që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për largimin e objekteve të vendosura në këto hapësira.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient, Inspektorat dhe Emergjenca, të gjithë shfrytëzuesit që janë njoftuar për largimin e objekteve montazhe – si kioska, garazhe dhe baraka – duhet ta përfundojnë këtë proces deri më 31 mars 2026.


Komuna ka bërë të ditur se para largimit të objekteve, shfrytëzuesit janë të obliguar të njoftojnë institucionet përkatëse për pasivizimin e shërbimeve.

Konkretisht, ata duhet të paraqiten në:

  • KEDS, për pasivizimin e njësorit elektrik;
  • KRU “Hidromorava”, për pasivizimin e njësorit të ujit.

Autoritetet komunale kanë paralajmëruar se pas përfundimit të afatit të caktuar, përmes drejtorive përkatëse do të fillojnë procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm për largimin e objekteve.

Në njoftim gjithashtu theksohet se Komuna nuk do të mbajë përgjegjësi për dëmtimet eventuale të objekteve apo pajisjeve gjatë ndërhyrjes. Çdo kosto e ndërhyrjes nga organet komunale për largimin e objekteve do të bartet nga vetë palët, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ky njoftim është lëshuar më 9 mars 2026 nga Drejtoria për Shërbime Publike e Komunës së Kamenicës. /Telegrafi/