LAJMI I FUNDIT:

Kompetencat e papërcaktuara në arsim, Taravari: Lënda është në duar të Subhi Jakupit

Kompetencat e papërcaktuara në arsim, Taravari: Lënda është në duar të Subhi Jakupit

Edhe pse kompetencat e arsimit të Komunës së Gostivarit janë në duar të Ministrisë së Arsimit, një ditë pas grevës së mësimdhënësve për pagat e ulëta, kryetari i Gostivarit, Arben Taravari vizitoi Shkollën fillore komunale “Faik Konica” në Debresh. Taravari tha se e përkrah grevën e mësimdhënësve dhe pohoi se fati i kompetencave të arsimit në Gostivar është në duar të Subhi Jakupit, përfaqësuesit të BDI-së në Gjykatën e Lartë Administrative. Pavarësisht këtij fakti, ai është i sigurt që do ta fitojë përsëri lëndën e ankimuar nga MASH.

“E them me plotë përgjegjësi se kemi të drejtë, bile bile njerëzit të cilët i kemi angazhuar na thonë se nuk ka gjasa të kthehet as nga Gjykatës së Lartë Administrativ edhe pse e dini që në Gjykatën e Lartë Administrative punon, Subhi Jakupi i cili deri para gjashtë muajsh ishte anëtar i KSHZ-së nga BDI-ja. Për një aferë që aso kohe e zbuloi ambasadori amerikan, Xhes Bejli, Subhi Jakupi u përjashtua nga KSHZ-ja me ekipin dhe prej aty, BDI-ja e vendosi në Gjykatën e Lartë Administrative, tash lënda jonë për kompetencat në komunë është në duar të Subhi Jakupit, presim përgjigje prej Subhi Jakupit”, u shpreh Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.


Për këtë u kontaktua edhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi. Në një bisedë telefonike, Ademi tha se as vendimi i Gjykatës administrative, nuk e arsyeton emërtimin në mënyrë të paligjshme të drejtorëve nga zotëri Taravari.

“Për dallim nga zotëri Taravari, nuk predikoj vendimet e gjyqësorit dhe nuk lëvdoj vendimet e gjyqësorit, kur janë favorizuese. Po edhe kur janë të disfavorshme. Procedura është në Gjykatën e Lartë Administrative, ku kemi parashtruar edhe ankesë. Po edhe si do që të jetë epilogu, temë e gjykatës, lëndë e gjykatës së lartë administrative, nuk është shkarkimi në mënyrë të paligjshme të drejtorëve nga ana e Taravarit”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Për më pak se dy vjet jo të plota, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dy herë ia mori kompetencat kryetarit Arben Taravari në sektorin e Arsimit. Arsyetimi i marrjes së kompetencave ishte se Taravari nuk ka respektuar normat ligjore gjatë emërimit, respektivisht shkarkimit të drejtorëve në shkollat e mesme dhe fillore. Për herë të parë kompetencat Taravarit i janë marrë në shkurt të vitit 2018-të, për t’ju kthyer nëntë muaj më vonë. E që më pas t’i merren përsëri po në muajin shkurt të vitit 2019./TV21/