LAJMI I FUNDIT:

Komisioni për matjen e territorit, i njëanshëm politikisht

Komisioni për matjen e territorit, i njëanshëm politikisht

Profesori i gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, Florim Isufi, ka bërë me dije se nuk pret rezultate të sakta shkencore nga Komisioni për matjen e territorit që ka formuar qeveria.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ky komision mund të jetë i njëanshëm politikisht.


“Personalisht unë nuk pres që ky komision të japë rezultate të sakta shkencore. Prandaj, duke u bazuar në institucionet, përfaqësuesit e tyre që marrin pjesë në këtë komision, personalisht dyshoj se do të ketë rezultat të favorshëm për Kosovën”, ka deklaruar Isufi.

Isufi ka vlerësuar se përmes këtij komisioni qeveria po do ta shtyjë përpara agjendën e vet, duke tentuar që përmes legjitimitetit qeveritar ta informojë opinionin se demarkimi i vijës kufitare me Malin e Zi është bërë mirë.

Ai ka thënë se këto pretendime do të hedhen poshtë nga hulumtimi i fundit i ekspertëve, i cili do të publikohet brenda këtyre ditëve. Isufi ka treguar se përmes këtij hulumtimi do të vërtetohet me fakte shkencore se ku ka humbur territor Kosova gjatë procesit të demarkacionit me Malin e Zi.