LAJMI I FUNDIT:

Komisioni kthen prapa Projektstatutin e kombinatit ‘Trepça’

Komisioni kthen prapa Projektstatutin e kombinatit ‘Trepça’

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka kthyer prapa Projektstatutin e Trepçës, pas vërejtjeve që dhanë deputetët e këtij komisioni.

Aty po ashtu u vendos që raporti i Panelit për zgjedhjen e Bordit të KOSTT t’i kalojë Kuvendit që të zgjedhë 6 anëtarë, nga 12 sa janë në listën e ngushtë.


Deputetët kërkuan nga Bordi i Trepçës që të sjellë para tyre një dokumentacion të plotë dhe, jo me orare të takimeve siç konsideruan të jetë draft-statuti i paraqitur.

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, tha se statuti i marrë është i njëjtë me atë që ka qenë më parë.

“Le ta bëjë bordi statutin. Nëse na i shtimë duart në statut, atëherë në hyjmë në një grup të gjerë heterogjen, ku edhe mund të bëhen gabime. Pse ne me bë amendamente? Është rrugë me e gjatë”, tha Aliu.

Kurse, kryetarja e këtij komisioni, Sala Berisha-Shala, tha se Kuvendi miraton edhe statute. Teksa tha se zërat kundërshtarë nuk ja duan të mirën as Trepçës e as vendit.

Edhe deputetja Hykmete Bajrami nga LDK-ja u shpreh e pakënaqur me draftstatutin e marrë.

Ndërsa, deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, theksoi problemet që ka ky draft-statut.

“Nëse shkojmë faqe për faqe e shohim që nuk ka përputhje në mes të shtyllave. Vetëm na sillni kolonën e tretë dhe ne e përcjellim në Kuvend”, tha Sejdiu.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, pyeti anërarët e bordit të Trepcës se pse nuk kanë sjell një draftstatut të plotë.

Pas kësaj, anëtari i bordit, Naser Peci, tha se është e vështirë me u përfshi të gjitha në një draft-statut, mirëpo theksoi se kolona e tretë është shumë e përafërt me atë që është arritur marrëveshja.

Kryetari i Sindikatës të Trepçës, Shyqiri Sadiku, tha se për krejt këto zvarritje përgjegjës është bordi i sindikatës, pasi nuk ka dashur t’i fus në statut vërejtjet që sindikata u ka dhënë. /KP /Telegrafi/