LAJMI I FUNDIT:

Kolonizimi serb dhe kurdisja e incidenteve ndëretnike në Kosovë

Kolonizimi serb dhe kurdisja e incidenteve ndëretnike në Kosovë
Ilustrim

Një kronikë e tërë vrasjesh në fshatrat e trevës së Runikut, dëshmon se regjimi i Beogradit për gati njëqind vjet u përpoq të zbatonte pikë për pikë Planin e Vasa Çubrilloviqit.
Akoma pa u varrosur të vrarët e të masakruarit, kur akoma tymonin shtëpitë e djegura rrafsh me tokë, Serbia nisi vendosjen e kolonëve – së pari në pikat më strategjike afër rrugëve kryesore të Kosovës. Këtë periudhë që nis më 1912, të gjithë ata shqiptarë që shpëtuan nga zjarri i luftës e quanin pushtimi i parë serb. Më 1914 fillon Lufta e Parë botërore, pikërisht me fajin e Serbisë. Austro-Hungaria sulmoi Serbinë dhe kjo iku me ushtarë e me civilë, drejt detit në dy drejtime. Por, shqiptarët sikur harruan masakrat e Ushtrisë serbe që kishte depërtuar deri në Durrës dhe krejt afër Vlorës. Më 1918 Serbia vazhdoi kolonizimin e lënë në gjysmë, me përkrahje të madhe edhe nga shtetet fituese të Luftës së Parë Botërore.
Plani serb ishte: kolonizim dhe kurdisje incidentesh mes kolonëve dhe shqiptarëve vendës. Kështu p.sh., pas dështimit të vrasjes së Sinan Shalës nga Leqina, kufoma e kolonit të vrarë dërgohet në oborrin e Maksim Tomasheviqit në Syriganë. Në raportin e tij për eprorin në Zveçan, komandanti i xhandarmerisë së Runikut shkruan:
“Megjithëse, me ditë të tëra kemi kontrolluar për armë shumë shtëpi e kasolle arnautësh; megjithëse kishim planifikuar edhe mundësinë e ballafaqimit të armatosur me Sinan Shalën, asgjë nuk shkoi sipas planit. Kemi informata se Maksim Tomasheviqi nga Suhogerlla po iu ndihmon arnautëve. Ai është i vetmi serb (rajë) që ka autoritet dhe të cilin e nderojnë të gjithë arnautët. Por, e dimë se është anëtar i Partisë Socialdemokratike serbe të (Dimitrije) Tucoviqit. Partia Radikale neve na kanë urdhëruar të kurdisim likuidimin e tij, pasi së shpejti do të mbahen zgjedhjet dhe Maksimi merr të gjitha votat e arnautëve, e ne e dimë mirë se ata janë shumicë. Ishim të bindur se Sinan Shala që jetonte vetëm me të ëmën në një kullë guri, nuk ka armë. Më herët e dinim se Selman Kadria nga Kostërci e ka shok besnik Sinanin dhe mund t’i japë armë, por e vramë Selman Kadrinë dhe për këtë i kemi raportuar Naçallnikut në Zveçan.
Në mbrëmje vonë e rrethuam Sinanin, por ai ishte ngujuar në kullë. Kemi shkrepur disa batare drejt shtëpisë. Pasi nuk pati reagim nga Sinani, ishim të bindur se nuk ka armë. Vendosëm t’ia thyejmë derën dhe ta vrasim brenda. Koloni i parë që ka mësyrë derën është goditur nga pushka e Sinanit. Pas goditjes, koloni është rrezuar nga shkallët dhe ashtu e kemi tërhequr zvarrë deri në fund të arave të lagjes se Shaljanëve të Leqinës. Sinani ka vazhduar të na godas me plumba gjatë gjithë tërheqjes.
Me kolonin e vdekur, na u desh të zbatojmë planin rezervë të cilin e keni bërë ju, për likuidimin e Maksim Tomasheviqit në Syriganë. Të vrarin nga Sinan Shala e kemi bartur deri në Syriganë dhe Maksimit ia kemi lënë në derë të oborrit.
Kemi shkrepur dy rafalë dhe e kemi thirr Maksimin, ashtu siç keni thënë ju. ‘Na vrau Maksimi, na vrau Maksimi’. Të nesërmen Xhandarmëria e ka arrestuar Tomasheviqin në shtëpi, me akuzë se ka vrarë kolonin i cili ka shkuar kinse për të pirë tek ai. Maksimin e dërguam në Burgun e Shkupit.
Është keq që Maksimin e lidhur në pranga e kanë parë të gjithë arnautët dhe të gjithë e kanë ditur se ai nuk është vrasësi. Sinan Shala nga Leqina, atë natë ishte larguar nga shtëpia, të cilën e kanë kontrolluar xhandarët të nesërmen në mëngjes. Nuk kemi asnjë informacion për te, por mendojmë se ai mund të ketë ikur në Shqipëri”.
Në Kosovë tashmë ishin vendosur mbi dhjetë mijë kolonë serbë dhe po vazhdonte vendosja e të tjerëve në thellësi të territoreve shqiptare. Në 11 fshatra afër Runikut u vendosën gati më shumë kolonë sesa që ishin shqiptarë vendas. Madje, në këtë pjesë strategjike të Kosovës, kolonizimi vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Afër Runikut u ndërtua një vendbanim i tërë kolonësh nga Mali i Zi. Ata u larguan të pasuruar dhe të punësuar, pasi shitën tokën që më parë ua kishin konfiskuar dy herë shqiptarëve (pjesën më të madhe të tokave të fshatit të sotëm Çitak). Edhe sot ai vendbanim dallohet nga larg pasi ishte bri rrugës kryesore që lidhë Pejën me Mitrovicën.
Gjatë këtij procesi kishte vrasje të shqiptarëve nga kolonët, dhunë të përditshme, konfiskim të drithit e të bagëtisë, ndalimin e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe prishjen me çdo kusht të marrëdhënieve mes shqiptarëve vendas dhe kolonëve. E njëjta ndodhi edhe gjatë Jugosllavisë së Titos. Ato u bënë më evidente pas vitit 1990 kur Sllobodan Millosheviqi e suprimoi Kushtetutën e Kosovës. Kështu, dëshmitë e kohës flasin për kurdisjen e dhunimit të një gruaje serbe, motër mjekësore nga Syrigana. Në raportimin e fundit të policisë së rajonit të Runikut, thuhet:
“Dy burra serb nga fshati Uçë, për një kohë e ndjekin serben kur po shkonte në punë, ku pret autobusin në mëngjes dhe kur kthehet nga puna. Me një veturë, në mëngjes dalin në kohën e duhur dhe e marrin me dhunë këtë grua, e fusin në veturë dhe e shpijnë rrugës se mbuluar me shkurre, mes Lagjes së malazezëve dhe Banjës. Ata gjithnjë flisnin shqip dhe me këtë rast e thërrasin njëri-tjetrin me emra shqiptarësh. Pasi e përdhunojnë, gruan serbe e lanë në rrugë. Në fillim u përhap lajmi se shqiptarët e dhunuan një serbe që po shkonte në punë. Por, në burgun e Dubravës akoma ishin duke punuar shumë gardianë shqiptarë. Një prej tyre ishte nga fshati Izbicë. Ai, duke pritur autobusin për të shkuar në punë në Dubravë të Istogut, në anën e kundërt të drejtimit të rrugës, kishte ndjekur me vëmendje veturën e kuqe duke dal nga rruga e Uçës dhe duke udhëtuar në drejtim të Runikut. Polici, pasi dëgjon lajmin për përdhunim, kupton kohën kur ka ndodhë, aktivizohet menjëherë duke njoftuar të tjerët policë për ngjyrën dhe tipin e makinës me dy udhëtarë. Dy serbë nga Uça u zunë në befasi dy-tre ditë pas dhunimit dhe pushteti akoma i painstaluar mirë serb, në vitin 1990, doli huq dhe pranoi aktin duke dënuar dhunuesit serbë me nga gjashtë vjet burg”.
Në fshatrat Runik, Banjë, Syriganë, Radishevë, Kotorr, Kostërc, Qubrel, Vitak, Padalishtë. Leqinë kishte akoma kolonë, Serbia me ligj ndaloi shitblerjen e pronave mes shqiptarëve dhe serbëve të mbetur. Mbahet mirë mend rasti i Sylë Izbicës i cili bleu tokat e dy familjeve të serbëve që jetonin aso kohe në Leqinë. Syla bleu tokën me shtëpi nga Danili dhe Toma, dy bijtë e Purkut. Me herët këta kolonë ishin vendosur në tokat e Qelajve të Leqinës. Mbi dhjetë vjet, pushteti serb nuk e lejoi Sylën ta punojë atë tokë. Syla përjetoi shumë ditë nëpër duar të policisë pa asnjë faj. Pushteti e akuzonte Sylën se ka bërë presion mbi serbët e përmendur dhe pronën e ka blerë me dhunë, ndonëse Toma e Danili kishin deklaruar para çdo organi se vet e kanë shitur tokën me dëshirë.