Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist bllokon një rrugë në Prishtinë: Punëtorët përballen me jetë gjithnjë e më të pajetueshme

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist në Ditën Ndërkombëtare të Punës e shënuan me një bllokadë në rrugë për siç thanë “për të kumtuar të vërtetën e klasës tonë punëtore”.
Sipas një njoftimi për media thuhet se punëtorët sot përballen me jetë që po bëhet çdo herë e më e pajetueshme, duke kryer punë të shumëfishta, pa siguri sociale, me çmime të papërballueshme.
Po ashtu në njoftim thuhet se: “Gratë amvise që e kryejnë punën kyçe që e mundëson shfrytëzimin kapitalist mbesin të stërlodhura e pa të ardhura bazë, pensionistet/ët marrin lëmosha që as barnat nuk ua mbulojnë, punëtorët/et në sektorin privat keqpaguhen, keqtrajtohen e edhe vriten në vendin e punës, personat e etnive të racializuara keqtrajtohen e përjashtohen, gratë punëtore abuzohen seksualisht, shtypen shumëfish, personat queer shpesh përjashtohen komplet prej tregut, personat neurodivergjentë e me aftësi të kufizuara ose keqpërdoren, ose shndërrohen në kartë të marketingut korporativ që i shfrytëzon kapitali për fitim”.
Për më shumë lexoni njoftimin e Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist:
Majin sot e nisëm me bllokadë në rrugë për të kumtuar të vërtetën e klasës tonë punëtore: ne punojmë për ta ndërtuar një shtet që nuk na përket neve, por kapitalistëve në publik e privat. Jemi ne dhe shumë para nesh që kanë ndërtuar të mirat që sot na vidhen dhe përdoren kundër nesh, duke na mbajtur shumë prej nesh veç me trosha buke e lëmoshë, në një ekonomi që po rritet me djersën e gjakun e punëtorëve/eve, për të na varfëruar edhe më tej shumicën prej nesh.
Punëtorja e punëtori sot përballet me jetë që po bëhet çdo herë e më e pajetueshme, duke kryer punë të shumëfishta, pa siguri sociale, me çmime të papërballueshme, shpërfillje shtetërore e shfrytëzim privato-publik. Gratë amvise që e kryejnë punën kyçe që e mundëson shfrytëzimin kapitalist mbesin të stërlodhura e pa të ardhura bazë, pensionistet/ët marrin lëmosha që as barnat nuk ua mbulojnë, punëtorët/et në sektorin privat keqpaguhen, keqtrajtohen e edhe vriten në vendin e punës, personat e etnive të racializuara keqtrajtohen e përjashtohen, gratë punëtore abuzohen seksualisht, shtypen shumëfish, personat queer shpesh përjashtohen komplet prej tregut, personat neurodivergjentë e me aftësi të kufizuara ose keqpërdoren, ose shndërrohen në kartë të marketingut korporativ që i shfrytëzon kapitali për fitim. Pra, shumica dërrmuese, jetojmë dhe punojmë në kushte që na tëhuajësojnë nga qenësia, puna dhe komuniteti jonë. Ne po jetojmë për të punuar për shefat dhe pushtetin politik, në një ekonomi e cila çdo herë e më shumë po bëhet më e egër, më ndëshkuese dhe më zhvatëse. Krejt kjo, falë partneritetit të shtetit me kapitalin që bashkë funksionojnë për të na shtypur dhe shpartalluar.
Për ne Kosova, e ndërtuar prej djersës punëtore, po bëhet çdo ditë e më shumë parajsa e pushtetarëve e kapitalistëve e ferri ynë. Frytet e punës tonë dhe të tjerave/ëve para nesh nuk po i gëzojmë ne, por një pakicë e pushteteve që kanë lidhur aleancë për të shtruar zullumin kundrejt nesh me qëllim të grumbullimit kapitalist.
Sot, ne si klasë jemi e stërlodhur, copëtuar e subjekte të tentativave depolitizuese që vijnë prej lart dhe që duan të na mbajnë të hutuar, të rraskapitur, të varfër dhe të pashpresë. Nëpërmjet këtij breshëri sulmesh po lulëzojnë pushteti e kapitali që na shndërrojnë në mjete rritjeje e pasurimi, duke na zhveshur nga njerëzia dhe dinjiteti ynë.
Sot, ne e kemi suspenduar protestën si grumbullim simbolik si pikë reflektimi për të instituar ta kthejmë materialen dhe potencialin ndryshues të protestës, si rezistencë e jona ndaj tentativave për depolitizim të protestës dhe shndërrimit të saj në shëtitje simbolike që më së shumti alienon punëtoren/in që është në qoshe të sistemit. Këtë 1 Maj kumtojmë që është koha që protesta të paraqes prapë rrezik për pushtetin. Për ta bërë këtë, na duhet të besojmë te ndryshimi dhe forca e organizimit tonë si klasë punëtore të të gjitha sektoreve. /Telegrafi/




















































