LAJMI I FUNDIT:

Koeficienti i Ligjit të Pagave, profesori universitar: Qeveri jotransparente dhe e paditur

Koeficienti i Ligjit të Pagave, profesori universitar: Qeveri jotransparente dhe e paditur
Foto: Arkiv

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit vendosi vlerën e koeficientit për paga për vitin 2023 i cili do të jetë 105 euro, e cila vlerë nuk është duke u vlerësuar si e duhura.

Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës (UP), Nagip Skënderi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vlera reale e koeficientit do duhej të ishte 130 euro, kjo siç tha ai në mënyrë që të punësuarit të ruajnë në një masë standardin social dhe ekonomik.


“Mendoj se do të ishte reale nëse koeficienti do të ishte në vlerën prej 130 euro, në mënyrë që të punësuarit të ruajnë në një masë standardin social dhe ekonomik, dhe se mundësitë buxhetore për këtë janë (natyrisht duke bërë rishpërndarje dhe lëvizje të zërave buxhetor në Buxhetin e Republikës së Kosovës), e kjo do të jepte edhe efektin e saj që punëtorët të qëndrojnë në vend, e mos të emigrojnë jashtë vendit”, ka thënë Skenderi.

Nagip Skenderi, profesor universitar

Profesori universitar vlerësoi se paga minimale dhe ajo mesatare në Kosovë është më e ulëta, krahasuar me ato të rajonit.

“Dihet se paga minimale dhe ajo mesatare në Kosovë është më e ulëta, krahasuar me ato të rajonit, dhe mbetemi ende vendi me të ardhura më të ulëta në Evropë. Të presim tash reagimin e shoqatave sindikale, se çfarë ato mendojnë”, ka thënë ai.

Mirëpo, Skënderi po ashtu theksoi se e gjithë procedura për Ligjin e Pagave për punëtorët e sektorit publik ka shkuar në mënyrë të fshehtë dhe jo-etike.

Me qëllim siç u shpreh ai që të mos u mbetet shumë kohë për t’u ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Konsideroj se e gjithë procedura për Ligjin e Pagave për punëtorët e sektorit publik ka shkuar deri sot në mënyrë të fshehtë dhe jo-etike, sidomos caktimi i vlerës së koeficientit të pagave (vetëm katër ditë para hyrjes në fuqi të këtij Ligji?!). Dhe, kjo e gjitha mendoj se është bërë me qëllim që të mos u mbetet shumë kohë për t’u ankimuar në Gjykatën Kushtetuese”, ka shtuar ai.

Zyrtare, 105 euro është vlera e koeficientit të pagave për punëtorët e sektorit publik
Lexo po ashtu Zyrtare, 105 euro është vlera e koeficientit të pagave për punëtorët e sektorit publik

Në fund, ai ësh[rehur se, “krahasuar me rritjen e çmimeve këto dy vitet e fundit (prej kohës së pandemisë e këtej) jemi dëshmitar se standardi social dhe ekonomik i qytetarëve në Kosovë është përkeqësuar dukshëm, dhe kur të gjitha vendet e rajonit dhe më gjere kanë ndërmarrë masa adekuate anti-inflacioniste dhe për ruajtjen e standardit jetësor, tek ne Qeveria e Kosovës asnjë veprim në këtë drejtim nuk ka ndërmarrë, dhe si rezultat i kësaj kemi edhe largim masiv të të punësuarve si nga sektori publik, po ashtu edhe atij privat jashtë vendit. Kjo ka dëshmuar dhe po dëshmon se Qeveria jo vetëm është jotransparente kundrejt qytetarëve, por edhe shumë e paditur, sepse nuk kemi njerëz profesionist (sidomos në fushën e ekonomisë)”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e të mërkurës ka vendosur që vlera monetare e koeficientit të pagave të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024. /Telegrafi/