LAJMI I FUNDIT:

Kodra e Diellit e lënë pas dore, boshatiset nga turistët (Video)

Kodra e Diellit e lënë pas dore, boshatiset nga turistët (Video)

Boshatiset pika turistike Kodra e Diellit në Tetovë. Mungesa e borës dhe mos angazhimi i institucioneve për ta shndërruar Kodrën e Diellit në qendër të vërtetë turistike gjatë sezonit të dimrit, ka bërë që Turistët nga vendi por edhe ata nga Kosova e Shqipëria, të marrin valixhet dhe të largohen.

“Po kësaj radhe jemi pak të zhgënjyer por edhe koha e ka bë të veten më duket, borë nuk ka boll, sa iu përket ski liftave është dashur të punojnë por për interesat apo leverditë e tyre nuk janë lëshuar. Kjo është arsyeja që shkojmë sepse të ngjitemi në këmbë është problem edhe për neve edhe për fëmijët”, shprehet një turiste nga Kosova.


Situata e tillë më së shumti dëmton sektorin e hotelierizmit. Turistët bëjnë prenotime për një ose dy javë, por pasi të mbërrijnë në Kodrën e Diellit, kthehen mbrapsht pas një nate.

Profesori Izet Zeqiri thotë se krijimi i kësaj situate synon shkatërrimin e kësaj pike turistike.

“Tendencat janë evidente, para tre vitesh filloi investimi për borën artificiale dhe dështoi, vet fakti që në kodër të diellit nuk u realizua ky investim ndërsa në Mavrovë investohet në prodhim të borës artificiale dhe krijohen kushte më të mira, ajo flet për një diskriminim”, deklaroi profesori Izet Zeqiri.

Përgjegjësit për këtë pikë turistike edhe pse të kontaktuar disa herë nga Alsat-M nuk kanë dhënë kurrfarë arsyesh për mungesën e investimeve në Kodrën e Diellit, e cila çdo dimër vizitohet nga shumë turistë vendas dhe të huaj./Telegrafi/