LAJMI I FUNDIT:

KMDLNJ: Të gjithë po heshtin për numrin e madh të veteranëve mashtrues

KMDLNJ: Të gjithë po heshtin për numrin e madh të veteranëve mashtrues

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ, ka reaguar pas refuzimit që Gjykata Themelore i ka bërë kërkesës së Prokurorisë që të pezullohen pensionet për 19 mijë veteranë mashtrues.

KMDLNJ- konsideron që numri i madh i veteranëve mashtrues është shumë i madh dhe që të gjithë po heshtin para kësaj dukurie.

Tutje KMDLNj ka theksuar se veteranët mashtrues duke shpërdorur mjetet e buxhetit të Kosovës po ua bëjnë dëmin më të madh veteranëve të vërtetë.

Komunikata e plotë:

Numri i veteranëve , jo të rrejshëm por mashtrues (sepse me mashtrime kanë ardhur deri te statusi i veteranit) në Kosovë është jashtëzakonisht i madh dhe KMDLNj, që nga fillimi ka propozuar të hetohen listat duke vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që iu dëshmohet fajësia. Si masë paraprake ka propozuar të mos u paguhen pagat veteranëve mashtrues, deri në përfundim të hetimeve. Pas përfundimit të hetimeve dhe një procesi gjyqësor, atyre që me mashtrim kanë marrë paga, u ndërpriten këto paga sikur që me një vendim të gjykatës kompetente do të detyrohen t’i kthejnë në mënyrë retroaktive pagat e pamerituara apo të fituara me mashtrim.

Kurse, ndaj atyre që janë bërë gabime duke i vendosur në listat e veteranëve mashtrues, do të vazhdohej t’u paguhen rrogat dhe do të futeshin në listën e veteranëve të vërtetë. Pas fillimit të procesit gjyqësorë dhe pasi prokurori i rastit doli me propozim për pezullimin e pagesave për veteranë që dyshohet të jenë mashtrues, deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, pati reagime dhe kërcënime se do të ketë protesta masive të Shoqatave të Veteranëve të Luftës e që KMDLNj e konsideron si presion në gjykata që do të duhej të ishin të pavarura në marrjen e vendimeve! Nuk ka gjykatë apo gjykatës në Kosovë që në rrethana të tilla do ta merr një vendim të bazuar në ligj e që nuk do t’i nënshtrohej linçimit publik apo të rrezikohej ai apo familja.

Të gjithë pajtohen edhe Shoqatat e Veteranëve të Luftës gjithashtu se numri i veteranëve mashtrues është i madh por të gjithë heshtin para kësaj dukurie të shëmtuar. KMDLNj, edhe më parë është deklaruar sikur që edhe sot ka qëndrim se numri i madh i veteranëve mashtrues i ka shndërruar veteranët e vërtetë në kategori sociale duke i vënë nën nivelin e ekzistencës minimale.

Po të ishte numri i veteranë të vërtetë i saktë apo përafërsisht i saktë , kompensimi ndaj tyre do të ishhte dinjitoz duke u siguruar paga më të larta dhe të drejta të tjera që iu takojnë. Kështu, veteranët mashtrues , duke e shpërdorur mjetet e buxhetit të Kosovës, dëmin më të madh ua bëjnë pikërisht veteranëve të vërtetë!  /Telegrafi/