LAJMI I FUNDIT:

KMDLNJ: Dhënia e pagave për mësimdhënësit pas grevës, keqpërdorim i parasë publike

KMDLNJ: Dhënia e pagave për mësimdhënësit pas grevës, keqpërdorim i parasë publike

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka thënë se dhënia e pagave për punë që nuk është bërë është keqpërdorim i mjeteve publike të taksapaguesve.

KMDLNJ me anë të një reagimi për media, thotë se me organizimin e kësaj greve, SBASHK ka vërtetuar se nuk është në gjendje të mbrojë anëtarësinë dhe se nuk janë të pandikuar politikisht e aq më pak të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit.

Për të tejkaluar këtë situatë, KMDLNJ propozon një reformë të thellë në arsim si dhe krijimi i mundësive që të bëhet pensionimi i parakohshëm për ata që duan të pensionohen, me një pagë prej 70 për qind nga paga bazë, deri në kohën kur e fitojnë të drejtën për pensionim të rregullt.

Sot nis mësimi në të gjithë vendin
Lexo po ashtu Sot nis mësimi në të gjithë vendin

“Sistemi i arsimit, në të gjitha nivelet ka nevojë e që për KMDLNJ–ën është domosdoshmëri të bëhet një freskim me kuadro të reja që aktualisht janë të papunë. KMDLNJ propozon gjithashtu që të bëhet depolitizimi dhe departizimi i arsimit të lartë aq më parë që ndikimet politike, që nga zgjedhja e rektorit, Këshillit Drejtues, dekanëve, gradimeve, etj.”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.

Reagim i plotë i KMDLNJ

A DO TË KETË PËRGJEGJËSI PËR SABOTUESIT E ARSIMIT NË NJË GREVË TË INSTRUMENTALIZUAR!

SBASHK-u, thuaja për tre javë me radhë e solli arsimin kosovar par një kolapsi duke kërcënuar se ky vit edhe mund të jetë i humbur për të gjitha nivelet, që nga ai parashkollor e deri te ai universitar. Kërkesat e SBASHK-ut ishin shantazhuese, ultimative dhe përfituese, rritja e koeficientit për 40% e që është më e lartë se çdo vend në rajon ndërkaq që cilësia e mësimdhënies është më e ulët se në çdo vend në rajon. Bindshëm më e ulët.

Kryetari mashtrues i SBASHK-ut, për më shumë se tre javë u bë “yll” i situatës tragjike duke u verbëruar para shkëlqimit të kamerave. Ai, me hipokrizinë e vet, në fillim as që dëgjonte për nxënësit por koka i ishte bërë koeficient dhe vetëm në atë rrafsh komunikonte me zyrtarë të MASHT-it dhe qeverisë së Kosovës, duke treguar muskuj të të tjerëve që qëndronin prapa tij.

Për ta eliminuar çdo përpjekje për kundërshtim të kësaj greve jonormale dhe të paarsyeshme, të gjithë ata që eventualisht do të kërkonin ndërprerje të grevës, i kërcënonte me gjyq për, kinse, presion dhe kërcënim ndaj një veprimi sindikalist. Kërkesa e tij, e ambalazhuar si kërkesë e SBASHK-ut ishte që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos e votojnë Ligjin për Paga, si kusht (nga shantazhuesi Jasharaj) të ndërpritet greva. Mirëpo, krejtësisht i hutuar në shoqërimin e politikanëve të lartë të Kosovës, deklaroi se, “për hir të nxënësve po e i japin fund grevës ndonëse nuk është përmbushur kërkesa e tyre por se është përafruar…”.

Këtë ofertë, SBASHK-u e kishte në tavolinë që nga dita e parë por se “vendosmërisht” e pati refuzuar, për ta pranuar gjatë një promovimi publik politik, para kamerave dhe mediave të ndryshme. Pastaj, filloi ndarja e meritave se nxënësit, pas një mungese tre javëshe, pa asnjë arsye dhe për shkak të manipulimit të kryetarit të SBASHK-u, të hënën, më 4 shkurt do të fillojnë mësimet.

Tash, pas këtij manipulimi të panevojshëm me ndjenjat e nxënësve dhe prindërve të tyre nga disa aventurierë sindikal dhe politik, shtron një pyetje publike: kush do të jap përgjegjësi për këtë mashtrim dhe dëm që iu është bërë nxënësve të të gjitha niveleve për shkak të grevës së panevojshme dhe të paarsyeshme? Kjo grevë a do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së arsimit kur as që e ka pasur një kërkesë të tillë, ngritjen e cilësisë por ngritjen e pagave? A duhet nxënësit të humbin pushimin duke mbajtur orë plotësuese e zëvendësuese për shkak të papërgjegjësisë së SBASHK-ut?

KMDLNJ mendon se orët nuk duhet të zëvendësohen por se duhet të thirren në përgjegjësi të gjithë ata që kontribuuan për këtë gjendje, që nga institucionet parashkollore e deri te ai i arsimit të lartë. Pse familjet duhet të paguajnë për fëmijët që i kanë dërguar në çerdhe kur thuaja një muaj nuk iu janë ofruar shërbimet dhe se kanë qenë të detyruar t’i dërgojnë në çerdhet private duke paguar mjete shtesë. Përgjegjësi mbi përgjegjësinë është pse është dashur të paguhen pagat për punëtorët e arsimit për refuzimin e punës kur kjo përgjegjësi i takon SBASHK-ut.

SBASHK-u është dashur të sigurojë mjete financiare, siç e bëjnë të gjitha sindikatat në botë kur organizojnë greva afatgjata, për ata që bëjnë grevë aq më parë që për të gjithë anëtarët e vjel anëtarësinë. Dhënia e pagave për punë që nuk është bërë apo dhe që është sabotuar është rast flagrant i shpërdorimit të mjeteve publike të taksapaguesve kosovarë dhe ky shpërdorim nuk duhet të kalojë pa konsekuenca ligjore. Me organizimin e kësaj greve SBASHK ka vërtetuar se nuk është në gjendje të mbrojë anëtarësinë dhe se nuk janë të pandikuar politikisht e aq më pak të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit.

Për të tejkaluar këtë situatë, KMDLNJ propozon një reformë të thellë në arsim si dhe krijimi i mundësive që të bëhet pensionimi i parakohshëm për ata që duan të pensionohen, me një pagë prej 70% nga paga bazë , deri në kohën kur e fitojnë të drejtën për pensionim të rregullt. Sistemi i arsimit , në të gjitha nivelet ka nevojë e që për KMDLNJ–ën është domosdoshmëri të bëhet një freskim me kuadro të reja që aktualisht janë të papunë.

KMDLNj propozon gjithashtu që të bëhet depolitizimi dhe departizimi i arsimit të lartë aq më parë që ndikimet politike, që nga zgjedhja e rektorit, Këshillit Drejtues, dekanëve, gradimeve, etj. 100% janë të ndikuara politikisht andaj e kemi një gjendje aq të rëndë, thuaja të pashpresë përkundër pagave të majme që i kanë dhe të cilat janë më të larta se në të gjitha universitetet e vendeve të rajonit e që e kanë një traditë shumë më të gjatë dhe një cilësi, pakrahasueshëm më të lartë se në Universitetin Publik të Prishtinës e mos të flasim për universitetet tjera publike të klonuara në kohën e fushatave elektorale. Është kohë e fundit që përmes një reforme të thellë në arsim, sidomos në arsimin e lartë të eliminohet ndikimi politik dhe partiak, të eliminohet trashëgimi i posteve në baza familjare apo nepotizmi shumë i theksuar duke iu dhënë hapësirë kuadrove të reja që tash janë të përjashtuara apo krejtësisht të margjinalizuara.

Nuk duhet të krenohemi se tani në arsim i kemi pagat më të larta në rajon në kohën kur në të gjithë treguesit e matjes së cilësisë së arsimit na rangojnë në vendin e fundit në rajon! /Telegrafi/