Një fitore e pastër për CFR Cluj ndaj Rapidit, me rezultatin 3-0, u ndoq nga vëzhgues të veçantë nga MLS, të cilët erdhën nga Amerika për të parë talentin rumun Louis Munteanu, por vëmendja e tyre u tërhoq nga mesfushori ynë, Lindon Emerllahu, i cili tregoi një paraqitje të jashtëzakonshme dhe ndikim të qartë në lojën e ekipit.

Iuliu Muresan, pronari i klubit, zbuloi se trajneri i ekipit amerikan ishte i pranishëm në ndeshje dhe mbeti i impresionuar jo vetëm nga Munteanu, por edhe nga Emerllahu, shkruan Sport.ro.


Ai theksoi se paraqitja e mesfushorit kosovar ishte e dukshme për të gjithë, jo vetëm për specialistët e futbollit.

“Ata vunë re dy lojtarë: Louis Munteanu, i cili luajti shumë mirë, dhe Emerllahu. Ishte normale që tërhiqnin vëmendje. Madje trajneri Razvan Zamfir pati një koment me humor: ‘Një lojtar të mirë, edhe nënat e shohin! Edhe këtu është e njëjta gjë, edhe gjyshja e pa!’”, tregoi Muresan për Fanatik.

Prania e përfaqësuesve të klubit amerikan, që besohet të jetë DC United, nuk kaloi pa u vënë re nga tifozët dhe media lokale.

Ata ndoqën një ndeshje të fortë nga skuadra e Daniel Pancus, ku Louis Munteanu shkëlqeu përsëri, por Emerllahu doli gjithashtu në pah me lojën e tij të mençur, vizionin në mesfushë dhe ndikimin në sulmet e ekipit.

Diskutimet rreth një transferimi të mundshëm në Shtetet e Bashkuara po intensifikohen, dhe Emerllahu duket se ka tërhequr interesin e amerikanëve po aq sa edhe Munteanu.

Mbetet të shihet nëse amerikanët do të paraqesin një ofertë konkrete për dyshen në “paketë” Munteanu–Emerllahu.

Për Lindon Emërllahun ka shprehur interesim edhe Metalist 1925, që ishin të gatshëm ta paguanin klauzolën prej 1.8 milion eurove. /Telegrafi/

telegrafi sport app