Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur se Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit “Restaurimi i kishës së Shën Venerandës”, në fshatin Pllanë të Lezhës.

Monumenti është një ndërtim i shekullit XIV, i stilit Benediktin. Kisha është trajtuar thjeshtë, ndërtuar me gurë të papunuar gëlqerorë dhe shtufi. Narteksi është i hapur e i rrethuar me arkada mbi pilastër, me prerje katrore, me muraturë me tulla të kuqe.

Dera kryesore e kishës ndodhet në faqen perëndimore, një tjetër derë ndodhet në pjesën qendrore të faqes veriore të Naosit. Në faqen lindore ka një apsidë rrethore të madhe e të lartë, si dhe dy nike të vogla anash. Kisha ndriçohet prej shtatë dritaresh të cilat janë me hark dhe një është rrethore. Naosi mbulohet me tavan druri, i cili vazhdon pa ndërprerje edhe në pjesën e Mafilit.

Kisha përmendet në dokumente historike të shekullit XVII, ku kalon në vartësinë e peshkopatës së Lezhës, Krujës apo Durrësit. /ata/