LAJMI I FUNDIT:

Kisha e “Shën Iliut”, e rindërtuar nga Ali Pashë Tepelena

Kisha e “Shën Iliut”, e rindërtuar nga Ali Pashë Tepelena

Të paktë janë ata që e njohin kishën e “Shën Iliut” që ndodhet në Bual të Përmetit, e cila përpara shekullit të XVII u përfshi nga flakët dhe dëmet ishin kolosale. Ky Monument Kulture i kategorisë së parë daton që në shekullin XII, ndërtuar në stilin bizantin dhe më pas u rindërtua nga Ali Pashë Tepelena.

Në shekullin XII, kisha i shërbente banorëve të fshatit Bual për kryerjen e riteve fetare. Ajo ishte e ndërtuar me stilin bizantin, me afreske që të magjepsin. Por, në fillim të shekullit XVII, Aleksandër Todhe – studiues i trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Përmetit – thotë se ky monument kulture u përfshi nga flakët dhe gjithçka u shkërmoq. Afresket u dëmtuan dhe kisha u bë jofunksionale. Kjo për banorët e asaj kohe ishte një tragjedi e madhe, sepse nuk mund të kryenin ritet fetare, për të cilat ushqenin shpirtin. Në gjendje të mjeruar mbeti për shumë kohë, derisa një ditë erdhi lajmi i mirë për rindërtimin e saj.


Fshati Bual njihet për mjekët popullorë, të njohur ndryshe si xheraj. Është një nga zonat që ka ndihmuar në kurimin e pacienteve në të gjithë Ballkanin, madje fama dhe shërbesat e tyre kanë mbërritur deri në Angli. Në fund të shekullit XVII, djali i Ali Pashë Tepelenës, Veliu, sëmuret nga veshkat. Ai kërkoi ndihmë mjekësore gjithandej për t’u kuruar, por përpjekjet ishin të kota, derisa ai ra në kontakt me një nga mjekët popullorë të Bualit. Kur Veliu u shërua plotësisht, Ali Peshë Tepelena e pyeti xherajn se çfarë donte si shpërblim. Ky i fundit kërkoi që rindërtimin e kishës. Kaq u desh dhe Pashai urdhëroi rindërtimin e objektit fetar.

Sipas Andrea Llukanit, i cili është autori i librit me titull “Arti kishtar në Shqipëri”,  objekti është njënefësh dhe ka përmasa 21.15 me 9.95 metra. Kjo kishë përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati. Në vitin 1814 kisha ka pësuar një ristrukturim rrënjësor, ku për të zmadhuar naosin është prishur muri perëndimor. Muratura e ndërtimit të kishës është me gurë shtufi. Në të ka tulla të vëna në mënyrë të rregullt. Apsida është trefaqëshe.

Në anën jugore të saj tullat janë të vendosura zigzag. Mbi portën jugore brenda kishës gjendet ky mbishkrim: “Në vitin 1814 u ndërtua nga themeli ky tempull i gjithnderuar në kohën e kujdestarisë së shumënderuarit, zotit Kristo Tasi, në 1850 u pikturua në kohën kur ishte peshkop i gjithhirshmi, zoti Neofiti dhe kujdestar arkimandrit Agathangjeli dhe në kohën kur ishte famulltar prift Gjergji dhe në kohën e kujdestarisë së vëllezërve Vangjelit e të Ilisë Efthimit. U pikturua me dorën e Zikut, Nikollas dhe Kostandinit, vëllezërve nga eparkia e shenjtit të Vellasë, 1850, janar 31”.

Pikturat murale në kishën e “Shën Iliut” zënë gjithë pjesën e brendshme, faqet anësore, kolonat, harqet etj. Afresket janë pikturuar në dy faza. Gjatë fazës së parë që i përket shekullit XII janë pikturuar faqet veriore dhe perëndimore të kishës, ndërsa gjatë fazës së dytë, që i përket shekullit XVIII është pikturuar pjesa e brendshme e naosit. Afresku më i veçantë në këtë kishë është një burrë i cili ka veshur kostum kombëtar me fustanellë. Në këto afreske dominon ngjyra e kaltër.

Sipas Todhes, këto afreske paraqesin interes për shkak të teknikës së tyre të veçantë. Gjithashtu, ka vlera historike dhe artistike. Sipas tij, afresket janë të dëmtuara dhe kanë nevojë për ndërhyrje. Ministria e Kulturës e ka lënë në harresë, ndonëse është shpallur “Monument Kulture”  i kategorisë së parë. Ka kujdestari, por jo studim. Është pak e studiuar nga ekspertët, ndonëse rreth vetes përmban shumë histori. /TCh/