LAJMI I FUNDIT:

Kina me rritjen më të dobët në 17 vjet

Kina me rritjen më të dobët në 17 vjet

Shifrat zyrtare treguan se Kina në muajin korrik kishte rritjen më të dobët të prodhimit industrial që nga viti 2002 dhe shitjet me pakicë u ulën ndjeshëm, pas një ngadalësim ciklik dhe tensioneve tregtare të shtuara. Prodhimi industrial u rrit me 4.8 për qind, shitjet me pakicë u zgjeruan vetëm 7.6 për qind dhe investimet u ngadalësuan në 5.7 për qind, rezultate këto edhe më të ulëta sesa parashikimet.

Të dhënat e prodhimit të shoqëruara me kërkesën e dobët sinjalizojnë se ekonomia e dytë më e madhe në botë ende po lufton për t’u stabilizuar. Rritja e ardhshëm e tarifave, që presidenti Donald Trump vendosi ta shtyjë për dhjetorin është parë nga tregjet si një tregues pozitiv, megjithatë ende paqartësia e së ardhmes nuk është zbehur.


“Ekonomia është duke u ngadalësuar. Nevojiten lehtësime monetare dhe ne presim një tjetër ulje të normës së interesit gjatë vjeshtës”, tha Gene Ma, ekonomist kryesor i Kinës në Institutin e Financave Ndërkombëtare në Washington, përcjell Telegrafi.

Prodhimi u ngadalësua në rritjen më të dobët, ndërsa rritja e investimeve në infrastrukturë, si shtyllë kryesore e stimulimit të qeverisë, u dobësua në 3.8 për qind, ndërsa lufta tarifore po përshpejton zhvendosjen e ekonomisë së Kinës larg fabrikave e drejt shërbimeve apo shitjes me pakicë, të dhënat e korrikut treguan gjithashtu rënie edhe atje.

Shitjet me pakicë janë dobësuar shumë nga tkurrja e vazhdueshme e shitjeve të automjeteve. Në muajin korrik, Kina vendosi një përmirësim të standardeve të emetimit të gazeve në zonat me mbi 60 për qind të shitjeve kombëtare të automjeteve dhe kjo politikë duket se ka minuar përfitimin e kompanive, shitjet e të cilave u dobësuan thellësisht. Sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave, ato ishin edhe më të ulëta sesa mesatarja e vitit të kaluar dhe ritmi u ngadalësua në 8.8 për qind për korrikun.

Deri më tani, politikë-bërësit kinezë janë mbështetur në një sërë politikash të uljes së taksave për të nxitur shpenzimet dhe stimujsh monetarë që bankat të japin hua për bizneset. Por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të ndalur ngadalësimin dhe ekonomistët kanë filluar të kërkojnë masa më efektive, përballë rreziqeve të rritjes së borxhit dhe paqëndrueshmërisë financiare.

“Tre kontribuuesit kryesorë, eksportet, shpenzimet në infrastrukturë dhe investimet në prona, po ngadalësohen. Ndaj ne presim më shumë masa për lehtësimin e likuiditetit, si ulja e raportit të rezervës. Megjithatë ka të ngjarë që ato të mos jenë të mjaftueshme për të ringritur ekonominë. Edhe muajt e ardhshëm ajo do përballet me më shumë humbje”, tha Larry Hu, drejtuesi ekonomik i Kinës në Macquarie Securities në Hong Kong.

Shkalla e papunësisë gjithashtu u rrit për korrikun në vlerën 5.3 për qind nga 5.1 për qind që rezultonte muajin e kaluar, një zhvillim që Byroja Kombëtare e Statistikave e justifikoi me të diplomuarit e fundit që godisnin tregun e punës. /Telegrafi/