LAJMI I FUNDIT:

Kim Jong-Un: Plani ynë ekonomik është një dështim total

Kim Jong-Un: Plani ynë ekonomik është një dështim total

Nga Kongresi i Partisë së Punëtorëve në Penian, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un bëri një deklaratë të fortë, duke thënë se plani ekonomik i vendit është një dështim total.

Përpara mijëra delegatëve, Kim pranoi se ka pasur dështime dhe se nuk janë arritur objektivat e parashtruar në planin pesëvjeçar për periudhën që sapo përfundoi.


“Synimet që parashtruam nuk u arritën në një numër fushash. Pesë vitet e fundit kanë qenë ‘të pashembullta’ dhe ‘më të këqijat’ për Korenë e Veriut. Megjithatë, në përgjigje të situatës vendi do të forcojë fuqinë e tij dhe kapacitetet e mbështetjes në forcat e veta, u shpreh Kim Jong-un.

Fotografitë e publikuara nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve tregonin mijëra pjesëmarrës të ulur pranë njeri-tjetrit në një sallë të madhe, pa respektuar distancimin fizik. Askush nuk shihej me maskë.

Kjo është hera e dytë që Kim Jong-Un kryeson kongresin e partisë që kur erdhi në pushtet në dhjetor të 2011-së. Kurse, kjo nuk është hera e parë që ai pranon dështimet e politikave, veçanërisht atyre ekonomike.

Në muajin gusht 2020, Komiteti Qendror i Partisë së Punëtorëve pranoi se planet për të përmirësuar ekonominë janë “zvarritur seriozisht” nga “situata të rënda të brendshme dhe të jashtme”.

Këto vitet e fundit, ai është përpjekur të tregohet si një personalitet më modest sesa babai i tij, ish-udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-Il. /Telegrafi/