Kim Cattrall rrëfen se refuzoi katër herë rolin e Samanthas në “Sex and the City”: Mendoja se isha shumë e vjetër për të qenë tërheqëse

Kim Cattrall ka treguar se, përpara se të bëhej ikonë e ekranit si Samantha Jones në “Sex and the City”, ajo e refuzoi katër herë rolin që do ta kthente në yll ndërkombëtar – sepse besonte se në moshën 41-vjeçare, nuk do të ishte më e pranueshme si figurë seksuale në ekran.
Në një intervistë për The Times, aktorja 68-vjeçare tha se hezitimi i saj fillestar vinte nga një “diskriminim moshe i vetëimponuar”.
“Isha 41 vjeçe dhe thjesht nuk besoja se publiku do të më shihte si seksi”, u shpreh ajo. “Por kjo ndryshoi. 40-tat u bënë seksi”, shkruan DailyMail.
Megjithatë, edhe pse luajti për gjashtë sezone dhe dy filma karakterin e lirë, të patrembur dhe të pavarur të Samanthës, Kim thotë se në realitet është krejt e kundërta: “Jam një monogamiste e thekur. S’jam aspak si Samantha”.
Prej vitit 2016, ajo është në një marrëdhënie të qëndrueshme me inxhinierin e BBC-së, Russell Thomas. Çifti u njoh gjatë regjistrimit të një eseje për pagjumësinë në Radio 4. Cattrall thotë se vitet e fundit me partnerin e saj kanë qenë “plot argëtim dhe qetësi”.
Megjithëse ajo pranon se është më së shumti e njohur për rolin e saj në “Sex and the City”, kjo nuk e pengon të ndihet krenare: “Krijova një personazh fantastik që e dua shumë. Nëse më kujtojnë vetëm për të, jam plotësisht në rregull me këtë”.
Cattrall nuk pranoi të rikthehej për filmin e tretë të “Sex and the City” në vitin 2016, duke refuzuar një skenar që përfshinte një histori ku një adoleshent i dërgonte mesazhe seksuale personazhit të saj. Ajo më pas theksoi publikisht se kurrë nuk kishte pasur marrëdhënie miqësore me koleget e saj të ekranit – Sarah Jessica Parker, Cynthia Nixon dhe Kristin Davis.
“Nuk kemi qenë kurrë shoqe, thjesht kolege”, deklaroi ajo për Piers Morgan Uncensored. “Në disa raste, është më e shëndetshme kështu. Vendoset një vijë ndarëse mes punës dhe jetës personale”.
Mosmarrëveshjet u thelluan më tej kur Kim kritikoi publikisht Sarah Jessica Parker në një postim në Instagram pas vdekjes së vëllait të saj në vitin 2018, duke e akuzuar për hipokrizi dhe duke e quajtur të “mizore”.
Megjithëse ajo refuzoi të bëhej pjesë e serialit spin-off “And Just Like That”, Kim pranoi të shfaqej në një skenë të vetme në finalen e sezonit të dytë. Paraqitja e saj 70-sekondëshe – e filmuar në një makinë, pa kontakt me koleget – thuhet se u pagua me një honorar marramendës prej 1 milion dollarësh dhe u negociua drejtpërdrejt nga drejtori ekzekutiv i platformës Max.
Edhe pse larg skenës së përhershme të serialit, Cattrall mbetet një figurë ikonë e televizionit modern – me një rol që, pavarësisht hezitimeve fillestare, u kthye në një nga më të paharrueshmit në historinë e dramave komike. /Telegrafi/
















































